E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia gjenë paratë e grabitura, një në pranga

(E plotësuar) Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës, rreth orës 19 e 30 minuta kanë bërë të ditur se janë gjetur të gjitha paratë e grabitura sot në filialin e Raiffeisen Bank, e cila gjendet në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Sipas policisë, katër persona të dyshuar, të maskuar dhe të armatosur nën kërcënimin e armës kishin grabitur 13 mijë euro dhe me shpejtësi me një veturë të dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Me të arritur në vendngjarje policia ka kuptuar drejtimin e ikjes së të dyshuarve dhe me shpejtësi u është vënë pas atyre.

Duke provuar t’i shmangen arrestimit policor, personat e dyshuar me veturën e tyre Golf -III- në ikje e sipër kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe janë ndeshur në murin e një shtëpie, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Më pas ata kanë lënë veturën e tyre të dëmtuar dhe kanë vazhduar ikjen e tyre me këmbë. Gjatë kontrollit që policia i ka bërë veturës së dyshuar ka gjetur: dy kasaforta, njëra prej tyre me para, një çantë me para, një revole si dhe një karikator revoleje.

Në ndërkohë që policia ka vazhduar ndjekjen e të dyshuarve në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë ka gjetur edhe një armë automatike AK-47, dy karikatorë si dhe dy maska, të cilat janë hedhur nga të dyshuarit gjatë ikjes.

Operacioni policor për kapjen e të dyshuarve është karakterizuar edhe me bastisjen e tri lokacioneve të ndryshme nga ana e policisë.

Lidhur me rastin e grabitjes policia ka ndaluar dy persona si të dyshuar të mundshëm dhe pas verifikimeve të bëra, njëri nga ta është liruar në procedurë të rregullt, përderisa tjetrit me urdhër të prokurorit i është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh dhe i njëjti është dërguar në mbajtje./Indeksonline/
 

-------

Në Kolovicë, tek pjesa e ashtuquajtur Trafo e Madhe,  janë dëgjuar të shtëna armësh mes policisë së Kosovës dhe disa persona të panjohur, bëjnë të ditur burime të Indeksonline. Këta persona që mendohet të jenë pikërisht grabitësit e bankës Raiffeisen, e cila u grabit sot.
Indeksonline ka arritur të sigurojë një foto lidhur me këtë ngjarje, ku shihet vetura e braktisur, ndërsa personat që e posedonin atë, kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

----------

Një grabitje e armatosur ka ndodhur në njërën nga degët e bankës Raffaisen në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites së sotme.

“Rreth orës 11 kemi marrë informatën për një grabitje në rrugën ‘Nazim Gafurri’, afër shkollës Teknike. Dyshohet për grabitje të armatosur, në të cilën kanë marrë pjesë tre persona. Aktualisht, policia po kryen të gjitha hapat e nevojshëm dhe ka ndërmarrë të gjitha masat për kapjen e tyre, sepse të dyshuarit janë arrati”, i ka thënë Indeksonline zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›