E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia greke kap dy shqiptarë, iu gjetën drogë

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar sot nga policia greke pasi u kapën duke transportuar nga Shqipëria drejt shtetit helen një sasi prej 635 gramë droge. Sipas informacioneve droga është sekuestruar në një automjet i cili vinte nga kufiri shqiptaro-grek që lidh Sarandën me Igumenicën.
Operacioni është zhvilluar në vendin e quajtur "Gardhiqi", në afërsi të kufirit shqiptaro-grek, në Thesproti. Policia ka ndaluar një automjet që vinte nga brezi i gjelbër kufitar i cili drejtohej nga dy shqiptarë, 40 dhe 25 vjeç, të cilët transportonin tre pako me sasi 535 gram hashash.
Policia greke dyshon se ajo është pjesë e një sasie të madhe për të cilën po zhvillohen hetime mbi dy të dyshuarit. 40-vjeçari shqiptar, kishte hyrë ilegalisht në Greqi pak kohë më parë dhe ishte vendosur në Prevezë në një banesë me qera, ku pas kontrollit u gjetën edhe 100 gram hashash dhe fishekë pistolete 0.38 mm.
Ndaj dy të arrestuarve është ngritur akuza "trafikim ndërkombëtar i lëndëve narkotike". Gjatë këtij viti, policia greke e Korfuzit dhe Igumenicës, ka sekuestruar rreth 3.1 ton "cannabis sativa" që vinte nga kufiri shqiptaro-grek që lidh fshatrat e Sarandës me Igumenicën.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›