Shpërthimi në Bulqizë, nesër RISHM-i bën analizën

Specialistë të Repartit të Inspektimit të Shpëtimit të Minierave do të bëjnë nesër një analizë në Tiranë për shkaqet e shpërthimit në minerën e Bulqizës. Mësohet se në këtë takim do të jenë pjesëmarrës edhe përfaqësues nga kompania konçesionare ACR.
Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme në Bulizë kanë mbërritur disa specialist të RISHM-it për të analizuar shkaqet e shpërthimit në minierë, por grupi i hetimit, i dërguar nga Tirana nuk ka mundur të realizojë një kontroll të detajuar të zonës ku ndodhi shpërthimi ditë më parë si rezultat i sasisë së madhe të gazit që gjendet aty.
Nga ana tjetër Këshilli Sindikal i Minatorëve ka deklaruar se minatorët janë gati të rinisin punën në minierë, por vetëm më urdhër të Repartit të Inspektim, Shpëtim, Minierave (RISHM), ndërsa prokuroria po vazhdon hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit si dhe personat që kanë urdhëruar fillimin e punimeve aty.
Si pasojë e një shpërthimi të ndodhur ditë më parë në nivelin 16 të minierës së Bulqizës humbi jetën minatori Naim Shyti dhe u plagosën 8 minatorë të tjerë.