E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke zbulon shtëpinë ku fshihej Alket Rizai

Policia Greke ka zbuluar shtëpinë ku dyshohet se kanë qëndruar dy të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë, mes të cilëve është edhe shqiptari Alket Rizai.Policia ka marrë shenjat e gishtërinjve për t’i ballafaquar me të personave të arratisur. 

GREQI- Policia Greke ka zbuluar shtëpinë ku dyshohet se kanë qëndruar dy të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë, mes të cilëve është edhe shqiptari Alket Rizai.
Gjatë natës së mbrëmshme, në praninë e një prokurori, policia zbuloi një shtëpi në zonën e Alepohorit pranë Megarës, në jug të Athinës ku dyshohet të jenë fshehur pas aratisjes spektakolare me helikopter në muajin shkurt të këtij viti, krimineli grek Vasilis Paleokostas dhe ortaku i tij shqiptar Alket Rizai.

Sipas policisë, një grua kishte marrë me qera shtëpinë në Alepohori muajin e kaluar, duke i thënë pronarit të shtëpisë se ishte shtatzënë dhe se do të jetonte atje me bashkëshortin dhe familjen.

Policia zbuloi atje disa paruke, kapele dhe sende të tjera për maskim, por nuk u gjetën armë. Ndërkohë janë marrë edhe shenjat e gishtërinjve për t’i ballafaquar me të personave të arratisur.

Alket Rizai ka mundur të aratiset dy herë nga burgu i sigurisë së lartë në Athinë të Greqisë. Pas arratisjes spektakolare në muajin shkurt policia është vënë në ndjekje të tij , pa mundur të zbulojë vendndodhjen.
32 vjecari Rizai ndodhej në burg i akuzuar për pjesemarrje në organizata kriminale dhe vrasje. Në momentin e arratisjes rojet e burgut kanë qëlluar ndaj helikopterit, por pa arritur ta ndalojnë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›