Skema e qeverisë, biznesi i vogël në skemën e TVSH-së që në vitin 2009
Problemi themelor që sot po has biznesi i vogël është çështja e plotësimit të vetdeklarimit të të ardhurave. Procesi i vetdeklarimit të xhiros filloi në 9 mars dhe mbyllet në 31 mars pra pas një jave. Vetëm kaq kohë ka biznesi i vogël të plotësojë një formular të komplikuar për ta dorëzuar pranë Bashkisë së Tiranës apo Bashkive në rrethe. Ndërkohë që është e specifikuar në ligj që biznesi i vogël duhet të ketë të punësuar part-time një ekonomist dhe në fund një ekspert kontabël për të mbyllur bilancin dhe bëhet fjalë për 50 mijë biznese në të gjithë vendin dhe 12 mijë biznese vetëm në Tiranë. Sipas Belinda Ikonomit, ka një konfuzionin të jashtëzakonshëm jo vetëm tek bizneset e vogla
por dhe tek administrata tatimore e pushtetit lokal. Një VKM-ë përcakton qartë që pragu i kufirit të një biznesi të vogël për të hyrë në sistemin e TVSH-së do të jetë në 2010 tek 5 milionë lekë. Nga ana tjetër ka një qarkore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që specifikon që të gjitha bizneset që kanë dorëzuar në 2008 bilance me xhiro vjetore mbi 5 milion lekë automatikisht këtë vit do të jenë subjekte të TVSH-së. Kjo ka shkaktuar konfuzion tek bizneset e vogla të cilët në të njëjtën kohë edhe duhet të plotësojnë faturat tatimore për taksat në Bashki edhe për administratën tatimore qendrore. Belinda Ikonomi deklaroi përpara bizneseve të Dhomës Amerikane në Forum Biznesin e organizuar mbi
çështjet e biznesit të vogël, se rreth 38 për qind e bizneseve që kanë dorëzuar vetë deklarimin e të ardhurave për 2009 kanë dorëzuar të ardhura më të ulëta se 2008 dhe kjo është një sinjal negative për planin buxhetor të baskisë së Tiranës. Për shkak të ndryshimit të nivelit të TVSH- së ka pasur në fillim të këtij viti, një numër të madh biznesesh që kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë rihapur një aktivitet tjetër vetëm për ti shpëtuar pragut të TVSH-së ç’ka na ka hapur mjaft problem si administratë tatimore lokale. “Kjo situatë shkakton kaos për të dy palët, bizneset dhe ne”- u shpreh Ikonomi. Është rritur edhe evazioni fiskal pasi ka shumë biznese që nuk kanë as leje as licencë dhe punojnë në tregun informal. Nga një kontroll i inspektorëve të baskisë ka dalë se 3500 biznese punonin në Tiranë pa asnjë lloj leje aktiviteti privat. Nga ana tjetër biznesi i vogël jeton në një mungesë të plotë informacioni. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk e dinë se si ta plotësojnë formularin, madje nuk dinë se duhet të plotësojnë një formular. Aq më pak janë të informuar se duhet të kenë një ekonomist part-time që ti mbajë dokumentacionin dhe në fund një kontabël ligjor që t’ia firmosë bilancin që do të dorëzojë. Gjatë diskutimit Ikonomi bëri të ditur për bizneset e Dhomës Amerikane se, Bashkia e Tiranës nuk ka të drejtë të bëjë kontrolle mbi bilancet dhe librat e xhiros së një viti më parë për të parë ecurinë e një biznesi. Këtë të drejtë e ka vetëm Administrata Tatimore. Kështu për të verifikuar nëse deklarimi i të ardhurave për 2009 është i vërtetë do ti duhej të shikonte xhiron e 2009. Por me ligj i ndalohet dhe Bashkia ka të drejtë të kontrollojë vetëm xhiron e qershor-dhjetorit përpara se të mbyllet viti. Për sa i takon taksave të bashkisë, ka një rritje prej 30 për qind të taksës së reklamave. Aktualisht bizneset duhet të paguajnë 1 mijë lek për metër katror për çdo reklamë që vendosin në rrugë. Kjo ka bërë që një numër i madh kompanish që merreshin me biznesin e reklamave dhe billbordeve në rrugë nacionale dhe qytete e mëdha, të tërhiqen nga ky biznes.
24 Mars 2010