E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kosovare: Vrasësi i 2 amerikanëve nga Mitrovica

PRISHTINE-Ndërsa vrasja e dy ushtarëve amerikanë në Gjermani nga një shtetas kosovar po debatohet në shtypin mbarë ndërkombëtar, ende mbetet e pasqaruar se kush, në fakt, është Arid Uka.
Policia e Kosovës njoftoi se, bazuar në informatat që ka, AriF Uka ka lindur më 8 shkurt të vitit 1990 dhe se është nga Mitrovica. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, tha se hetimet preliminare kanë përjashtuar ndërlidhjen e Ukës në vepra terroriste në Kosovë.
“Ne kemi bërë verifikimin në sistemin tonë informativ të policisë dhe i njëjti nuk ka lënë të jetë i regjistruar në regjistrat tanë për veprime anti-terroriste në Kosovë”, deklaroi Sadriu, duke mos mundur të japë detaje se me kë ka jetuar Arid Uka në Gjermani dhe se kush nga familjarët e tij ka mbetur në Kosovë.
Megjithatë, Sadriu tha se në ditët në vijim, Policia e Kosovës do të jetë e gatshme të nxjerrë informacione shtesë për sulmuesin për t’ua ofruar ato, në bazë të kërkesës, autoriteteve në Gjermani.
“Momentalisht, nuk kemi ndonjë informacion për këtë çështje, por ndoshta në të ardhmen në formën e bashkëpunimit me autoritetet e Gjermanisë mund të ketë veprime të tjera. Por, meqë vepra ka ndodhur në Gjermani, pa kërkesën e autoriteteve gjermane nuk mund të veprojmë”, theksoi Sadriu.
Pavarësisht paqartësive që kanë të bëjnë me identitetin dhe motivin e sulmuesit kosovar, si shenjë solidarizimi me familjarët e viktimave, një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës ndezën qirinj para Teatrit Kombëtar të Prishtinës.
Atyre iu bashkëngjit në këtë aktivitet edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
“Përmes këtyre qirinjve ne solidarizohemi me popullin amerikan dhe ushtarët amerikanë që janë ushtarë të lirisë së Kosovës”, tha Hoxhaj

(d.b/KohaDitore/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›