Policia kosovare ndalon edhe zëvendësin e BogdanoviçitNga ExpressPolicia e Kosovës ka ndaluar sot edhe një delegacion qeveritar të Beogradit, i cili kishte hyrë në Kosovë dhe po zhvillonte aktivitete politike, pa leje të autoriteteve të Prishtinës.
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Policia kosovare ndalon edhe zëvendësin e BogdanoviçitNga ExpressPolicia e Kosovës ka ndaluar sot edhe një delegacion qeveritar të Beogradit, i cili kishte hyrë në Kosovë dhe po zhvillonte aktivitete politike, pa leje të autoriteteve të Prishtinës.
I ashtuquajturi zëvendësministër për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Borislav Ristiç, është ndaluar nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, ka konfirmuar për Express Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Kelani saktësoi se Ristiç, gjatë ditës, do të dëbohet për në Serbi.
Tani për tani, policia nuk jep më shumë detaje se kur ka hyrë delegacioni serb në Kosovë dhe çfarë aktivitetesh po kryenin në momentin e ndalimit.
Ndërkohë mediat lokale serbe raportojnë se delegacioni nga Beogradi ndodhej në një takim me serbët e kthyer në fshatin Dersnik të Klinës.
KiM Radio raporton se përveç Ristiçit, janë ndaluar edhe përfaqësuesi i kësaj ministrie, Borislav Tajiç; drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë, Miladin Gjurovic; i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Klinës, Svetislav Dabizhleviç si dhe një përfaqësues i serbëve të kthyer në fshat.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi, ka deklaruar se të ndaluarit ende janë në stacionin policor të Klinës dhe po merren në pyetje.
Më 13 janar, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte ndaluar ministrin Goran Bogdanoviç, derisa po zhvillonte aktivitete politike në Shtërpcë, pa marrë leje nga Prishtina.
Ai ishte përcjellë deri në Merdar dhe pas legjitimimit, ai dhe delegacioni i tij, ishte dëbuar nga Kosova. Por Bogdanoviç, pasi kishte dalë në zonën neutrale, u kishte deklaruar gazetarëve se “Kosova është territor i Serbisë” dhe se ai kurrë nuk do të kërkojë leje për të ardhur këtu.