"Policia më hodhi burrin nga kati i tretë"
SARANDE/ SHPRESA DINE
"Policia dhunoi dhe më pas e hodhi nga kati i tretë bashkëshortin tim". Kështu është shprehur dje Lulzime Lumani, bashkëshortja e ish-policit të Sarandës, Selman Lumani, i cili u arrestua me akuzën e "falsifikimit të dokumenteve zyrtare, vulave, stampave dhe formularëve". Sipas saj, policia ia dhunoi të shoqin në sy të fëmijëve. "Rreth orës 22:00 erdhën në shtëpi një grup policësh dhe kërkuan të bënin kontroll. Selmani iu kërkoi mandat nga Prokuroria. Mes tij dhe policëve të veshur civilë u bë debat. Ata kërkuan me forcë që të tregonte ku i kishte fshehur vulat", u shpreh dje Lumani, duke pohuar se ishte e terrorizuar nga ajo që kishte ndodhur. Sipas saj, policët e kishin larguar edhe atë me forcë në momentin që u fut në mes t'i ndante. "Policët e shtynin burrin tim drejt ballkonit. U përpoqa për ta kapur, por pashë se si ra poshtë. Më ra të fikët. Më vonë mësova që ai kishte rënë mbi parakolpin e një makine dhe ndodhej në spital", vijoi më tej ajo. Sipas policisë, në rrugë operative mësuan se në banesën e Lumanit bëhej falsifikim dokumentesh. "Seksioni Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimeve në Ekonomi dhe Financë ndërmori një operacion për të kryer një kontroll", bëri të ditur policia. Mësohet se në banesën e ish-efektivit të policisë u gjetën 36 vula të institucioneve shqiptare e greke. Sipas policisë, janë sekuestruar vula të bashkisë Sarandë, vula e transportit rrugor Gjiro-kastër, vula të Komisariatit të Sarandës, vula të ambasadës shqiptare në Athinë, të legalizimit të dokumenteve të Ministrisë së Jashtme, vula e një sekretari të parë të një konsullate, vula e Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë dhe Sarandë, e Ministrisë së Jashtme, e Ministrisë së Arsimit, vula të konsullatës greke në Gjirokastër, vula e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë greke, dokumente për 12 leje ndërtimi etj. "Shtetasi Selman Lumani, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale për t'i shpëtuar arrestimit është hedhur nga kati i tretë i banesës së tij dhe ka pësuar dëmtime në këmbë dhe shpatull. Momentalisht merr mjekime në Spitalin Ushtarak në Tiranë", bëri të ditur policia. Sipas mjekut kirurg Miço Xhaferi, Lumani kishte pësuar politrauma, që do të thotë thyerje të shumta të gjymtyrëve. "Nga rënia është në gjendje parashoku. Ka thyerje të këmbës e krahut dhe goditje në gjithë pjesët e trupit. Do ta nisim në Spitalin Ushtarak", u shpreh mjeku Xhaferi.