E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja, 4 pensionistë në akuzë

 

Fatos Mahmutaj
Falsifikuan pensionet, merren në përgjegjësi penale katër të moshuar. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit pohuan dje se katër pensionistë të rremë janë dërguar për ndjekje penale në prokurori, pasi kanë përfituar në mënyrë ta paligjshme pensione pleqërie nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Zbulimi i tyre është bërë nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore e kryeqytetit, e cila pas verifikimit të dokumentacionit nëpër dosjet e katër pensionistëve ka vërejtur mangësi dhe falsifikim dokumentesh. Dy prej përfituesve të pensioneve të padrejta, Feride Oruçi dhe Bukurie Bacelli kishin gjetur si mënyrë ideale për të përfituar pensione pleqërie falsifikimin e dokumenteve të gjendjes civile, duke rritur fiktivisht moshën. Kështu, policia e kryeqytetit pohoi dje zyrtarisht se kishte dërguar në prokurori materialet e çështjes penale në ngarkim të Feride Oruçit, e vitlindjes 1950, lindur dhe banuese në komunën Katund i Ri, Durrës, e pa dënuar, pasi ndaj saj ka bërë kallëzim Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Gjatë kontrollit të bërë në DRSSH të kryeqytetit është konstatuar se Oruçi kishte dorëzuar të falsifikuara certifikatat e gjendjes civile, duke përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme, nga viti 1999 deri në vitin 2007. Po kështu, të njëjtën gjë kishte bërë edhe Bukurie Bacelli, e vitlindjes 1947, lindur në Korçë dhe banuese në Njësinë Bashkiake numër 6, në Tiranë, e pa dënuar më parë. Edhe kjo është denoncuar nga DRSSH, Tiranë pasi në të njëjtën mënyrë kishte plotësuar në këtë institucion një dosje me dokumente të falsifikuara, mes tyre edhe një certifikatë të gjendjes civile, me anë të së cilës kishte përfituar pension pleqërie në mënyrë të padrejtë nga viti 1999 deri në 2007, kohë kur u zbulua dhe iu ndërpre pensioni. Ndërkohë, po dje, policia e kryeqytetit ka transferuar në prokurori materialet hetimore ndaj dy pensionistëve të rremë Bedri Muja dhe Asllan Kodra, si dhe një punonjësi të DRSSH, Tiranë, i quajtur Shefqet Muka, i cili akuzohet për falsifikimin e dosjeve të dy pensionistëve. Në komunikatën zyrtare të ditës së djeshme policia e kryeqytetit pohoi se ka nisur procedimi për 64-vjeçarin Bedri Muja, lindur në Kamëz dhe banues në Nikël, Krujë, me arsim 8 klasë, i pa dënuar; si dhe ndaj 58-vjeçarit Asllan Kodra, lindur në Çekrezë dhe banues në Kamëz, Tiranë, me arsim 8 klasë, i pa dënuar, pasi ndaj tyre ka bërë kallëzim DRSSH e kryeqytetit, institucion që kishte zbuluar se dy të moshuarit kishin përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme. Ndaj dy të moshuarve që do të hetohen në gjendje të lirë është ngritur akuza e "falsifikimit të dokumenteve", ndërsa ndaj punonjësit të DRSSH, Shefqet Muka është shtuar edhe akuza e "shpërdorimit të detyrës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›