E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet i kërkuari për vjedhje bankash

Një shqiptar 34-vjeçar, i dënuar me 15 vjet burg në mungesë në Shqipëri, është arrestuar nga karabinierët në Xhenova të Italisë. I riu nga qyteti i Vlorës është arrestuar në një lokal teksa ishte në shoqëri me disa shokë shqiptarë. Mediat italiane, duke iu referuar policisë shqiptare, bënë të ditur se 34-vjeçari Edison Malaj, është dënuar nga gjykata shqiptare për vjedhje banke. I riu kishte mbërritur në Itali në mënyrë klandestine në bordin e një gomoneje. Policia e ka mbyllur 34-vjeçarin në burgun Kiavari në pritje të një vendimi për ekstradimin drejt vendit tonë. Ky informacion është konfirmuar edhe nga policia shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, Interpol Tirana informon se është bërë kapja në Itali e shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Edison Hyqmet Malaj, 34 vjeç, nga Vlora. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendim të datës 15 prill 2003 e ka dënuar Edison Malajn me 15 vjet burg, pasi është deklaruar fajtor për veprën penale vjedhje me armë. Kapja e tij u bë si rezultat i bashkëpunimit e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

B.G.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›