Ari Han, shampanjë dhe diskotekë
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Ari Han, ishte ndër të ftuarit “VIP” në festën e “nxehtë” me rastin e 32-vjetorit të diskotekës “Boa”, në Shtutgard të Gjermanisë. Lajmi jepet nga versioni on-line i gazetës “Esslinger Zeitung”. Holandezi, me një karrierë të gjatë si trajner, përfshirë edhe Shtutgardin, ishte ndër 1000 vizitorët e pranishëm në diskon më të famshme të qytetit gjerman. “Gjashtë orë zgjati festa, e pasur me shampanjë, vallëzim e muzikë”, - shkruan “Esslinger Zeitung”. Emra të tjerë të famshëm, që morën pjesë në këtë “super-ditëlindje”, ishin edhe Boris Beker, Ralf Shumaker, Liza Minelli e princi Albert.
Ervin Skela “dëmtohet” nga komplimentet
Ervin Skela duhet të jetë “thyer në mes” nga komplimentet. Thuajse të gjitha faqet gjermane të internetit, që shkruajnë për Energi Kotbusin, nuk lënë rast pa përmendur performancën e fantazistit shqiptar. “Ervin Skela tregoi para së gjithash në pjesën e dytë një formë të mirë. Shqiptari ishte prezent, kërkoi dhe ndau topa”, - shkruhet në faqen zyrtare të klubit, pas barazimit 2-2 të Kotbusit me Alemania Ahen, në Qipro.
Pajtim Kasami, blerja e zgjuar e Lacios
Pajtim Kasami, kosovari 16-vjeçar me pasaportë zvicerane, është blerë ditët e fundit nga Lacio në Itali. Lajmi për lojtarin e Liverpulit jepet nga disa portale interneti pranë klubit italian, ku drejtor sportiv është shqiptari Igli Tare (i cili dha edhe rekomandimin), por edhe nga gazeta sportive “Corriere dello Sport”. Mesfushori shkatërrues Kasami, i rritur si futbollist te Grasshopers, është lojtar i Kombëtares së Zvicrës U-16. Në janar të vitit 2008, talenti i tij ra në sy të gjigantit anglez, Liverpulit, menaxherit Hughie MeAuley, i cili rekomandoi edhe blerjen e djaloshit, tashmë pjesë të Lacios. Kasami do të luajë fillimisht me të rinjtë e Lacios.
Kola: “Incidenti me Ballën, abuzim i gazetave”
Trajneri Agustin Kola më në fund ka folur edhe për incidentin e tij me gazetarin e njohur sportiv të “Panorama Sport”, Adriatik Balla. Pasuesi i Blaz Slishkoviçit në bankinën e 23 herë kampioneve tha për “Ora Sport”: “Mediat e shkruara abuzojnë dhe shkruajnë gjëra jo të sakta, ndërsa ato vizive japin realitetin me fjalë dhe imazh”. Kola la të kuptohet se abuzimi është i gazetarit Balla, ndaj të cilit tekniku bardheblu qëlloi me grusht gjatë stërvitjes së të shtunës së kaluar.
Duro: “Partizanit i duhen sulmues”
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, pohoi gjatë një interviste për “Ora Sport” se skuadrës që ai drejton i duhen sulmues. “Në portë e në mbrojtje thuajse jemi të kompletuar”, - tha pasuesi i Hasan Likës. Të kuqve iu largua gjatë kësaj merkatoje Elis Bakaj, tashmë pjesë e Dinamos, duke pasur në vijën e parë vetëm Marius Ngjelën. Mbrojtësi Arian Sheta (ish-Elbasani) është afruar te Partizani dhe po kështu pritet mesfushori Engert Bakalli, i cili tashmë nuk është më pjesë e Elbasanit. Rezart Maho është fytyra e re që po stërvitet te Partizani. Mesfushori i Kallamatës në Greqi (3 ndeshje si zëvendësues këtë sezon, 20 ndeshje në total, përfshirë edhe edicionin e kaluar) mund të jetë një përforcim i mirë. 24-vjeçari më parë ka luajtur në Shqipëri me Dinamon, Kastriotin, Apoloninë, Shkumbinin, por dhe me skuadra inferiore si Egnatia e Pogradeci.
Superliga “braktis” Shqipërinë
Tirana u nis të hënën drejt Turqisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore dyjavore. Bashkë me grupin e lojtarëve në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas u bashkua edhe nigeriani Abraham Alechenu (16 ndeshje, 1370 minuta), lojtari i tretë me më shumë minuta të luajtura pas Ansi Agollit (1428) dhe Tefik Osmanit (1377 minuta).
Tirana në pjesën e parë të sezonit grumbulloi 30 pikë nga 51 të mundshmet (8F, 6B, 3H), duke u renditur e dyta pas Vllaznisë (34 pikë).
DINAMO - E udhëhequr nga trajneri kroat Zlatko Dalic, Dinamo u nis dje drejt Antalias së Turqisë për të zhvilluar fazën përgatitore 12-ditore dimërore në Kemer. Në çarterin e prenotuar nga blutë janë edhe skuadrat e Besës e Apolonisë. Mesfushori Igli Allmuça kërkon largimin me mirëkuptim nga Dinamo. Ish-mesfushori i Partizanit dhe Tiranës ka disa oferta nga Rusia e Kina. Lëvizja e pritshme e Allmuçës është një realizim i dy menaxherëve, Nexhmedin Haxhiut e Gëzim Mançes. Pas afrimit të Ruben Oscar Ceco, një tjetër argjentinas i shtohet Dinamos. Mario Antonio Romero është sulmuesi që do të testohet me kampionët në fuqi. Kroati Frane Petriceviç u konsiderua një dështim me blutë, ndërsa Sebino Plaku (8 gola në 17 javët e para) përfundimisht është në Norvegji te HamKami.
APOLONIA - Skuadra fierake (vendi i 9-të, 18 pikë) u nis dje drejt Turqisë, për të kryer pjesën e dytë të fazës përgatitore dimërore në Kemer. Në provë te skuadra fierake janë dy futbollistë serbë, Ferizoviç dhe Haxhibaliç, të cilët synojnë të bindin trajnerin boshnjako-serb Esad Karishik. Mesfushori boshnjako-serb, 22-vjeçari Semir Hadzibuliç (15 ndeshje), beson se Apolonia do të mbesë në Kategorinë Superiore. Te Apolonia janë dhe tre lojtarë të tjerë serbë: mbrojtësi Aleksandar Sreckoviç, mesfushori Predrag Mirceta dhe mesfushori tjetër Mladen Brkiç.
BESA – Edhe Besa u nis dje drejt Antalias së Turqisë, ku do të qëndrojë dy javë. I vetmi që nuk ka udhëtuar me grupin është mesfushori 23-vjeçar Erand Hoxha (11 ndeshje në pjesën e parë të sezonit), i cili ka pësuar një dëmtim. Besa e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e katërt me 28 pikë (8F, 4B, 5H), gjashtë më pak se Vllaznia kryesuese (34), por ende nuk ka bërë blerjen e parë dimërore. Në ekip është rikthyer Herby Fortunat (në rikuperim e sipër), ndërsa synohet rikthimi i meksikanit me pasaportë franceze François Endene Elokan. Fokusi i merkatos së Besës së Kavajës është hedhur në kampionatin maqedonas dhe atë kosovar.
FLAMURTARI - Skuadra e Edmond Liçajt u nis drejt Kemerit të Turqisë për të kryer fazën përgatitore dimërore. Bashkë me grupin që mbylli pjesën e parë të sezonit (Flamurtari e mbylli në vendin e 7-të, me 23 pikë) ndodhet edhe Eriol Merxha, blerja e vetme dimërore e 1 herë kampionëve të Shqipërisë (2 Kupa).
Elbasani me “thikë në dorë” në Maqedoni
Përpara se të nisej në Maqedoni për të kryer fazën përgatitore, Elbasani mbaroi punë me dy lojtarë të tij, duke i larguar përfundimisht nga skuadra. Engert Bakalli përfundimisht nuk është lojtar i Elbasanit (15 ndeshje). Ish-mesfushori i Dinamos nuk udhëtoi në drejtim të Maqedonisë, atje ku verdheblutë do të kryejnë fazën përgatitore. Tashmë, kampioni me Tiranën (86 ndeshje, 1 gol) do të bashkohet me Partizanin, skuadrën e tretë kryeqytetase në karrierën e tij. 32-vjeçari Bakalli (mbush 33 vjeç më 22 janar) ka luajtur edhe me Besën (15 ndeshje, 1 gol) dhe Bylisin (23 ndeshje) si dhe me Sopotin e Librazhdit. Elbasani ka përjashtuar nga radhët e tij Stavrion Lakon për pjesën e dytë të sezonit. Korçari luante për 2 herë kampionët e Shqipërisë nga sezoni 2006-2007, por trajneri Mirel Josa nuk preferoi ta merrte me vete në Maqedoni gjatë fazës përgatitore. Me Elbasanin, ish-lojtari i Skënderbeut (113 ndeshja), Dinamos (12 ndeshje) e Teutës (24 ndeshje) këtë sezon zhvilloi vetëm 9 ndeshje. Mbrojtësi Lako ka të ngjarë të bashkohet me skuadrën e qytetit të tij, Skënderbeut. Egert Kuçi është pranë rikthimit te Elbasani, skuadrës ku është formuar si futbollist. 23-vjeçari, me një të kaluar te Elbasani (28 ndeshje, 2 gola) dhe Shkumbini (33 ndeshje, 1 gol) në pjesën e parë të sezonit luajti për Bylisin (8 ndeshje, 349 minuta).
Daniel Xhafaj, përfundimisht te Tirana
Daniel Xhafaj (4 gola, 16 ndeshje), golashënuesi i dytë më i mirë i Tiranës pas Migen Memellit (10 gola në 14 ndeshje), do të luajë përfundimisht me Tiranën dhe për pjesën tjetër të sezonit deri në përfundim të kontratës së tij me bardheblutë (skadon në qershor 2009). Kontrata e përfolur me klubin iranian Estegal FC nuk u konkretizua. Sulmuesi u nis bashkë me grupin drejt Antalias së Turqisë, atje ku Tirana do të zhvillojë fazën përgatitore dyjavore. Xhafaj është një ndër gjashtë lojtarët e Tiranës (25 gola) që kanë shënuar të paktën një gol këtë pjesë të parë të sezonit: Migen Memelli (10 gola), Daniel Xhafaj (4), Jetmir Sefa (3), Andi Lila (3), Gjergji Muzaka (2) dhe Bledar Devolli (1).
Nora, pranë largimit nga Shkumbini
Arlind Nora nuk ka pranuar të udhëtojë me Shkumbinin në Ulqin. Sulmuesi 28-vjeçar ende nuk është paguar dhe ka zgjedhur këtë lloj proteste. Nora (30 ndeshje, 7 gola me Shkumbinin) kërkohet nga disa skuadra: Besa, Elbasani (25 ndeshje, 1 gol, kampion me këtë ekip) e Partizani. Nora në karrierën e tij të gjatë (luan që nga sezoni 1997-1998) ka veshur më parë fanellën e Luftëtarit (112 ndeshje, 11 gola), Lushnjës (74 ndeshje, 23 gola) dhe Vllaznisë (16 ndeshje, 1 gol).
Mediat polake, Bicaj pranë Legias
Ditmar Bicaj është shumë pranë kalimit te Legia e Varshavës. Lajmi jepet nga faqja polake republikafutbolu.pl. Ish-mbrojtësi i Dinamos luajti së fundi në Bullgari me Belasitsa Petrich (10 ndeshje, 765 minuta), por u largua prej saj për moskorrektesë në pagesë. Gjiganti 19-vjeçar (193 cm) është pjesë e Kombëtares U-21. Pistë tjetër për Bicajn është Hacettepespor në Turqi.
13 Janar 2009