Ronaldo, lojtari më i mirë në Botë
Kristiano Ronaldo koleksionoi titullin e parë të tij si “Lojtari më i mirë në botë”, çmim i dhënë nga FIFA, ndërkohë që Marta e fitoi atë për herën e tretë. Çmimet prestigjioze u dhanë gjatë një galaje spektakolare në “Opera house” të Zurihut.
Ronaldo bëri një 2008-të të jashtëzakonshëm, duke shënuar 38 gola për Mançester Junaitid në Premier Ligë dhe dha një kontribut të çmuar në fitimin e Ligës së Kampioneve. Kristiano Ronaldo kishte fituar më parë edhe trofeun e “Topit të Artë” të revistës “France Football”, “Këpucën e Artë” nga Liga e Futbollistëve Profesionistë.
Kristiano bëri një paraqitje të kënaqshme në Kampionatin Europian, edhe pse Portugalia e tij u eliminua në çerekfinale. Ronaldo grumbulloi 935 pikë nga votimet e 155 trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare. Nga Shqipëria votuan trajneri Ari Han dhe kapiteni Altin Lala.
Argjentinasi Lionel Mesi përfundoi i dyti me 678 pikë, ndërkohë që spanjolli Fernando Torres grumbulloi 203 pikë. Në vend të katërt u rendit braziliani Kaka (183 pikë) dhe në të pestin spanjolli Ksavi (155 pikë).
Braziliania Marta, e cila bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në turneun olimpik të femrave në “Pekin 2008”, barazoi rekordin e vendosur nga gjermania Birgit Prinz. Për futbollisten më të mirë femër votuan 139 trajnerë e kapitenë ekipesh. Marta grumbulloi 1002 pikë, ndërsa Birgit Prinz, 28 pikë. Braziliani Kristian mori 275 pikë, gjermania Nadinë Angerer (198 pikë) dhe anglezja Keli Smith (150 pikë).
Për herë të parë u dhanë çmime edhe për disa projekte të realizuara me mbështetjen e FIFA-s. Federata Palestineze e Futbollit u nderua se kishte mundur të mbante gjallë futbollin në rrethana të vështira.
Çmimi “FIFA Presidential” iu dha ekipit të femrave të Shteteve të Bashkuara, i cili kishte arritur më parë të fitonte tri herë medaljet e arta në Lojërat Olimpike (1996, 2004 e 2008).
Me medaljen e “Fair Play” u nderuan edhe presidenti i Federatës Turke të Futbollit dhe kapiteni i ekipit Kombëtar turk, respektivisht Mahmut Ozgner dhe Tuncay Sanli, si dhe homologëve të tyre të Federatës Armene të Futbollit, presidentit Ruben Hayreapetyan dhe kapitenit Sargis Hovsepyan, të cilët shtrënguan duart gjatë ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës, më 6 shtator 2008, edhe pse dy vendet i kishin prishur marrëdhëniet diplomatike.
Elvin Beqiri firmos me Vllazninë
Elvin Beqiri është përfundimisht lojtari i Vllaznisë. Mbrojtësi i Kombëtares firmosi një vit kontratë me 9 herë kampionët e Shqipërisë. Me Vllazninë ka luajtur 88 ndeshje, duke shënuar 8 gola. 28-vjeçari ka luajtur gjatë karrierës së tij pesë sezone në Ukrainë me Metalurg Dontesk (57 ndeshje në total), Arsenalin (po në Ukrainë; Alanian (në Rusi) dhe Makabi Tel Aviv (Izrael, 12 ndeshja). Vllaznia ka firmosur deri tani me Xhevahir Sukajn, Klodian Seminën dhe Elvin Beqirin.
13 Janar 2009