Policia në SHBA, 3 faza për të eliminuar kurthet e Xhoker
Autoritetet amerikane të sigurisë planifikojnë të hyjnë në shtëpinë e të dyshuarit për masakrën e kinemasë “Aurora 16″, që besohet se është e mbushur me kurthe të stilit të loços, Xhoker.
I dyshuari, Xhejms Holms, akuzohet se ka qëlluar pa ndërprerje në sallën e kinemasë të premten, në premierën e “The Dark Knight Rises”. Ai kishte marrë rreth 6000 qarqe me municion, që do të thotë se kishte aftësinë për të qëlluar pa pushim, përveçse kur karikonte armët, për 50 minuta radhazi. Holms kishe hyrë në kinema me spektatorët e tjerë me biletë të rregullt. Apartamenti i Holms besohet se është i mbushur me kurthe me eksploziv. Përpjekjet për të hyrë në të kanë dështuar të premten dhe nisën sërish të shtunën nga FBI, policia lokale dhe ATF. Kasidi Karlson nga departamenti i policisë në Aurora, Kolorado, tha se autoritetet e kishin ndarë misionin në tri faza. “Ka ende gjëra të paqarta, ne nuk e dimë se çfarë kurthesh ka në atë shtëpi”, tha Karlson. Të panjohurat përfshijnë disa qypa që besohet se përmbajnë gaz. Faza e parë ka të bëjë me sigurimin e zonës dhe eliminimin e të gjitha fijeve që mund të përmbajnë detonatorë të kontrolluar. Banorët rreth zonës janë paralajmëruar se mund të ketë shpërthime të forta dhe mbahen në informacion të vazhdueshëm nga policia. Autoritetet planifikojnë të dërgojnë një robot në apartament. Afër hyrjes ishte një lidhje e trefishtë telash dhe një pajisje ndezëse, të cilat ishin ndërtuar për të vrarë këdo që do të hynte i pari në atë apartament. Faza e dytë është ajo e dërgimit të pajisjeve ajrore për gjetjen e eksplozivëve, vendosjen e pajisjeve të dyshuara në kamionë me rërë dhe dërgimin e tyre në një vend ku të kryhet një shpërthim i kontrolluar. Autoritetet besojnë se në apartament mund të ketë rreth 30 predha. Faza e tretë është ajo e kontrollit të vetë apartamentit. Por për këtë nuk ka një afat kohor. Holms u kap në pjesën e pasme të parkimit dhe mbetet ende në polici. FBI njoftoi se nuk ka asnjë gjurmë që të tregojë lidhje me ndonjë organizatë terroriste.