E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiu i dendur përmbyt rrugët e kryeqytet

Tufan në Tiranë, përmbyten parkingu i makinave dhe rrëzohen pemë.

Luan Kondi

Tiranë – Kryeqytetit u përfshi dje pasdite nga moti i keq me reshje shiu të dendur që paralizuan për rreth dy orë lëvizjen e mjeteve dhe njerëzve nëpër rrugë. Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë bënë që rrugët të bllokohen nga ujërat e shumta.
Ndërkohë që era e fortë ka rrëzuar të paktën pesë pemë në bulevardet kryesore të Tiranës, duke rrezikuar automjetet që ishin në lëvizje ndërsa janë dëmtuar makinat që ndodheshin të parkuara pranë vendeve ku u rrëzuan pemët. Për më shumë se dy orë reshjet e shiut kanë krijuar kaos në Tiranë, por edhe pas përmirësimit të situatës së krijuar nga natyra, sërish gjendja në rrugët e kryeqytetit kanë qenë kaotike. Trafiku i dendur i ka detyruar kushtuar drejtuesve të mjetit të qëndrojnë për minuta të tëra duke mos lëvizur. Disa persona që i kishin parkuar mjetet e tyre në një parking privat, fare pranë rrugës së Elbasanit nuk iu kanë besuar syve teksa i kanë parë të mbuluara plotësisht nga uji.
Situata
Përmbytje të mëdha në qendër të Tiranës ka mbuluar plotësisht dhjetëra makina në një parking fare pranë këndit të lojërave në rrugën e Elbasanit. Edhe në rrugën “Karl Gega” apo në zonën e Frigoriferit ka pasur përmbytje dhe si rezultat dy banesa janë mbushur me ujë. Policia ka mbërritur në vendngjarje duke evakuuar banorët të cilat po përpiqeshin të mbanin ujin jashtë shtëpive.
Problemet nuk kanë munguar edhe në rrugën e Durrësit, në rrugën “Don Bosko”, apo dhe në Laprakë ku përmbytjet kanë qenë evidente.
Bllokohen rrugët
Situata në kryeqytet ishte shumë shqetësuese por specialistët thanë se kjo situatë nuk ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të bashkisë së Tiranës. “Situata është shqetësuese për shkak të reshjeve të shumta, por kjo nuk është nga mos funksionimi i bashkisë. Lumi i Lanës është plotësisht i mbushur, kanalizimet janë në gjendje pune, por problem mbeten kolektorët e shkarkimit të ujërave”, tha për mediat Arben Seferi, drejtues i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, përmbytje ka pasur në zonën e “Don Bosko”-s, në rrugën “Jordan Misja”, tek “Misto Mame”, në rrugën “Karl Gega”, rruga e Elbasanit dhe në një zonë të Porcelanit.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›