E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Mjekut, mjekët e huaj që punojnë në spitalet tona do të kalojnë në “sitë”

Kontroll punës së mjekëve që punojnë në klinikat mjekësore në vend. Të huajt duhet të plotësojnë kriteret për ushtrimin e profesionit

Emanuela Sako

Mjekët e huaj që punojnë në të gjitha spitalet e vendit do të kalojnë në “sitën” e specialistëve tanë të shëndetësisë për punën që kryejnë në spitale. Presidenti i Urdhrit të Mjekut për Tiranën, Faik Toska, bën të ditur se specialistët e këtij institucioni po ndërmarrin një nismë për ushtrimin e kontrollit për plotësimin e standardeve të vendosura sipas rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë proces inspektimi do të përfshihen të gjitha klinikat mjekësore shtetërore dhe private në të gjithë vendin. Sipas Presidentit të Urdhrit të Mjekut, numri i mjekëve të huaj që punojnë në vendin tonë është shumë i lartë dhe është përqendruar kryesisht në kryeqytet, pa përjashtuar dhe spitalet e rretheve. Njëkohësisht, numri më i lartë i mjekëve është në sistemin privat, ndërsa në atë shtetëror, mjekët e huaj janë më të monitoruar.
Monitorimi
Monitorimi i punës së mjekëve të huaj do të fillojë që në fazën elementare të ushtrimit të profesionit, që do të thotë që me pajisjen me diplomën përkatëse dhe me profilizimin përkatës të tyre. Diploma përkatëse e paraqitur prej tyre duhet të konvertohet nga Ministria e Shëndetësisë. Nga ana tjetër, specialistët e shëndetësisë do të verifikojnë veprimtarinë mjekësore të punës së kryer më parë dhe të punës që kryejnë në spitalet tona. Kjo nismë e Urdhrit të Mjekut do të nxjerrë qartë problemet dhe punën e kryer nga mjekët e huaj, sidomos veprimtarinë reale për punën mjekësore që ushtrojnë ata në spitalet tona. Në rast të konstatimeve të problemeve, gjithçka do të bëhet e ditur pranë Ministrisë së Shëndetësisë si autoriteti vendimmarrës në këtë proces dhe do të jetë ajo që do të vendosë për masat që do të merren. Specialisti Toska, tregon se në zhvillimin e procesit të punës ka disa probleme, pasi një pjese të klinikave mjekësore private nuk u gjendet vendndodhja për shkak të ambienteve të ngritura në katet e sipërme të pallateve.
Funksioni
Urdhri i Mjekut ka tagrin e ushtrimit të kontrolleve në të gjithë spitalet e vendit për punën e kryer nga mjekët. Njëkohësisht, ky institucion pret të gjitha ankesat e pacientëve, që konstatojnë shkelje nga puna e mjekëve që i kanë kuruar. Specialistët marrin në shqyrtim ankesat dhe verifikojnë rastin përkatës, duke iu referuar kurimit që ka bërë mjeku. Në rast se hasen shkelje nga ana e mjekëve, atëherë Urdhri i Mjekut ka të drejtë që të marrë masa penalizuese, duke u nisur nga gjoba dhe deri tek pezullimi nga puna për një periudhë dy vjeçare. Por këtë herë në qendër të vëmendjes së punës së tyre, janë vendosur mjekët e huaj. Duke iu referuar të shkuarës, ka pasur raste ku mjekët e huaj kanë punuar në spitalet tona pa pasur diplomën e mjekut. Kjo situatë është tepër alarmante sepse rrezikon jetën e pacientëve që marrin në angazhim për kurim. Një rast i tillë është kur një mjek me diplomën veteriner, ushtronte profesionin e mjekut. Disa muaj më parë, institucioni i Urdhrit të Mjekut hartoi një paketë propozimesh për më shumë kompetenca dhe bashkëpunim në terren, të cilat iu dorëzuan Ministres së Shëndetësisë. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se ndryshimet në Sistemin Shëndetësor dhe verifikimi i shkeljeve nëpër spitale duhet të verifikohen dhe minimizohen.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›