Studimi i ISHP-së, tumoret te gratë, më të predispozuara për prekjen nga sëmundja
ISHP-ja përcakton rastet kur gratë janë më të predispozuara të preken nga kanceri i gjirit dhe mënyrat e parandalimit të sëmundjes. Sipas studimit të bërë nga specialistët gratë janë më të predispozuara të preken nga kanceri i gjirit kur nëna, motra apo gjyshja kanë pasur kancer të gjirit. Po kështu, të gjitha gratë që janë mbi moshën 40 vjeç duhet të tregohen të kujdesshme për të kryer vizita të njëpasnjëshme, pasi në këtë moshë sëmundja është më e favorizuar. Njëkohësisht duhet të kenë kujdes të gjitha femrat që u kanë filluar menstruacionet para moshës 12 vjeç dhe ato gra që u janë ndërprerë menstruacionet pas moshës 50 vjeç. Të rrezikuara janë gratë që nuk kanë lindur ndonjëherë fëmijë apo ato gra që kanë lindur fëmijën e parë mbi moshën 30 vjeç. Mbipesha është një faktor tjetër që favorizon sëmundjen.
Ndërkohë që numri i të prekurve është tepër i lartë në të gjithë vendin. Rreth 4 mijë persona preken çdo vit nga tumoret, çka shënon një shifër të lartë për numër popullsie. Faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillim e kancereve janë konsumimi i
alkoolit, duhanit, ndryshimi i stilit të jetesës, mbipesha, shtimi i ushqyerjes me mish, faktorët ambientale si ndotja e ambientit nga tymi i makinave, përdorimi i kimikateve në bujqësi, industri, ndërtim, ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultraviolet etj. Format më të shpeshta të shfaqjes së tumoreve janë, kanceri i mushkërive (te meshkujt), kanceri i gjirit ( te femrat) dhe kanceri i zorrës së trashë, preken si meshkujt edhe
femrat. Kanceri i gjirit është kanceri që haset me shpesh tek femrat. Për të shmangur sëmundjen duhet të kryhen vetëkontrrolle dhe me anë të aparaturës së Mamografisë për gratë. Një vend të rëndësishëm për shmangien e sëmundjes është edhe ushqimi që konsumohet, i cili duhet të ketë më shumë përmbajtje bimore. Specialistët shprehen se ushqimi i shëndetshëm duhet të ketë përmbajtje drithërash, bishtajore, zarzavate ,fruta, qumësht e produkte të tij dhe më pak proteina shtazore si mish, gjalpë apo ëmbëlsira. Rekomandimet nga specialistët e ISHP-së janë edhe konsumimi i kripës së jodizuar dhe konsumimi i alkoolit në një masë tepër të ulët. Një këshillë tjetër e tyre, është balancimi dhe konsumimi i ushqimeve me aktivitetin fizik të moderuar 30 min në ditë. Sipas tyre, ushqyerja e shëndetshme mbron nga shumë sëmundje.
Rastet e shkaktimit të tumoreve:
Nëna, motra apo gjyshja kanë pasur kancer të gjirit
Kur gratë janë mbi 40 vjeç
Kur menstruacionet kanë filluar para moshës 12 vjeç
Kur menstruacionet kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç
Nuk keni lindur kurrë fëmijë
Keni lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç
Nëse jeni mbipeshë
Kanceri i gjirit mund të mjekohet me sukses nëse zbulohet shpejt në rastet:
Vetëkontrollin mujor të gjirit
Kontrollin e gjirit tek mjeku
Mamografinë
Ekografinë e gjirit
2 Korrik 2009