Gripi i derrit, OBSH-ja rekomandon marrjen e antiviralëve dhe Tamiflusë
OBSH-ja rekomandon përdorimin e antiviralëve dhe Tamiflusë për shkak të përshkallëzimit të gripit të derrit në të gjithë botën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u qëndron rekomandimeve të saj për antiviralët që përdoren kundër virusit të gripit të derrave duke theksuar se rasti i parë i rezistencës ndaj Tamiflusë ishte “i izoluar”. Sipas OBSH-së, rasti i rezistencës ndaj Tamiflusë i vërejtur në Danimarkë ishte një rast i izoluar që nuk ndikonte në shëndetin e popullsisë. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë, në vendin tonë po përgatitet për sigurimin e dozave të Tamiflusë.
Gripi i derrit pritet të shfaqet më i rrezikshëm në muajin shtator, ku shënohet dhe rënia e temperaturave. Ministria e Shëndetësisë po përpiqet të marrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit në vendin tonë. Specialistët e shëndetit publik bëjnë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka porositur 10 mijë doza të tjera Tamiflu, për të parandaluar përhapjen e gripit të derrit. Vendi ynë është i rrezikuar nga përhapja e virusit, pasi vendet fqinje janë të prekura nga ky virus. Për më tepër që lëvizjet sezonale të turistëve mund të bëhen shkak për një përhapje të mundshme të virusit, i cili mund të importohet nga vendet e tjera. Ministria e Shëndetësisë po forcon marrjen e masave në vendet kufitare, ku ka fluks të shtetasve që kthehen në vend për pushimet verore. Përgjegjësi për “mbrojtjen kufitare” nga virusi, kanë DSHP-të e rretheve, ku specialistët tashmë janë përqendruar në kufi.
2 Korrik 2009