E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia në krye të detyrës

Nga Express më 08 janar 2011 në ora 22:43

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për rivotimin në Skenderaj, Drenas, Deçan dhe në dy qendra të votimit në Lipjan dhe Malishevë.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që procesi i nesërm zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente.
Zëdhënësi i KQZ’së, Fehmi Ajvazi, ka thënë se në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet tashmë është shpërndarë materiali jo senzitiv, derisa ai jo senzitiv pritet të shpërndahet nesër në orët e hershme të mëngjesit.

“Përgatitjet janë bërë dhe sot praktikisht shpërndahet materiali jo senzitiv dhe nesër në orët e hershme do të bëhet shpërndarja e materialit senzitiv. Do të kemi 60 qendra të votimit, përfshi 178 vendvotime, dhe nga një qendër në Lipjan dhe Malishevë”, ka thënë Ajvazi, të shtunën.

Për sa i përket raportit të QNR për rezultatet e rinumërimit, Ajvazi ka thënë se KQZ është në pritje dhe beson që shumë shpejt ky raport do t’i dorëzohet KQZ’së.

“Komisioni qendror është duke e pritur raportin që do ta bëjë qendra e numërimit. Do të grumbullohet i gjithë rezultati i rinumërimit të 40 për qind të vendvotimeve dhe besojmë që shumë shpejt raporti të jetë në KQZ, sepse ai do të jetë i finalizuar në atë mënyrë që mos të lejohet më asnjë lloj gabimi eventual”, ka thënë Ajvazi.

Sabrie Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor i së dielës të kalojë pa incidente, derisa numri i saktë i zyrtarëve policorë që do të angazhohen në këtë proces nuk është caktuar, pasi që ai do të jetë sipas nevojës.

“Është përgatitur plani operativ dhe në bazë të këtij plani operativ janë të angazhuar edhe policët, të cilët konsiderohen që do të jenë të mjaftueshëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në ditën e nesërme. Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe shpresoj se gjithçka do të kalojë në rregull në aspektin e sigurisë ashtu sikur edhe herëve të kaluara”, ka thënë Kamberi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›