Gati për rivotim
Kryetarja e Panelit të Gjykatës Supreme, Vjosa Nimani-Zylfiu, e cila ka dërguar shumicën e qytetit të Mitrovicës në rivotim, ka gabuar gjatë formulimit të emërtimeve në aktgjykim se në cilat vende do të ketë përsëritje të zgjedhjeve.
Në vend se të shkruante emërimin se përsëritja do të bëhet në 24 qendra të votimit, ajo e ka shkruar gabimisht në vendim se zgjedhjet duhet të mbahen në 24 vendvotime, që i bie në rreth 20 për qind e votuesve mitrovicas.
Mirëpo, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka thënë se i ka kërkuar gjyqtares që të përmirësojë gabimin dhe të sqarojë se nuk bëhet fjalë për vendvotime, por për qendra të votimit.
“Pasi që janë krijuar disa konfuzione në KQZ, unë kam kontaktuar me kryetaren e kolegjit që ka vendosur për këtë çështje dhe atje ka dalë se është bërë një gabim se nuk kanë qenë 24 vendvotime, por 24 qendra të votimit, ku duhet te përsëriten zgjedhjet”, ka thënë Hasani për Express.
“Sot pasdite ka mbetur të korrigjohet gabimi”, ka thënë ai.
Ai ka sqaruar se komplet në komunën e Mitrovicës janë më shumë se 180 vendvotime, nga gjithsejtë 34 qendra të votimit.
Ndryshe, Gani Mikullovci nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Mitrovicë ka thënë se në pjesën e banuar me shqiptarë janë 29 qendra të votimeve me 104 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pranuar vendimin e Gjykatës Supreme, por nuk ka vendosur se kur do të përsëriten zgjedhjet në Mitrovicë.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se vendimi do të merret pasi të konsultohet me vartësit e saj për kohën që duhet për përgatitje teknike të zgjedhjeve.
Në komunikatën e lëshuar nga KQZ thuhet se shumë shpejt do të publikohet data e mbajtjes së rivotimit në Mitrovicë dhe do të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pasur një proces zgjedhor në përputhje me infrastrukturën ligjore në fuqi për zgjedhjet.
Gjatë ditës KQZ ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e një rivotimi të rregullt në komunën e Skenderajt, Drenasit, Deçanit dhe pjesërisht në komunat Lipjan e Malishevë.
Në mbledhjen e fundit të KQZ’së, ata bënë të ditur se gjatë së dielës në pesë komunat në fjalë do të jenë të pranishme gjashtë ekipe nga ky komision, derisa është paraparë edhe krijimi i një të ashtuquajture dhomë operative që do të kujdeset për monitorimin e gjithë procesit dhe zbatimit të planit të sigurisë.
Për zgjedhjet e 9 janarit, KQZ ka akredituar gjithsej 2 mijë e 679 vëzhgues.
Xhemalj Peçani nga Sekretariati i KQZ’së ka thënë se krejt përgatitjet teknike kanë përfunduar, duke treguar se gjithçka është gati për ditën e diel.
“Është verifikuar funksionimi i llambave ultra-vjollce, baterive dhe materialeve të tjera zgjedhore”, ka thënë Peçani.
Megjithëkëtë, Kryetarja e KQZ’së, Daka nuk ka treguar se kur pritet të certifikohen zgjedhjet.
“Tash nuk mund të jap ndonjë datë apo ndonjë muaj, mirëpo nëse marrim parasysh se do të ketë rivotim edhe në Mitrovicë, me siguri që muaji shkurt do të jetë ai kur do të bëhet certifikimi i rezultateve”, shpjegoi Daka.
Ajo ka thënë se, edhe pse ishte paraparë të diskutohej raporti i QNR’së për rezultatet e rinumërimit të votave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të festave ortodokse.
“Presim që të dielën të jetë gati raporti”, ka thënë Daka.
Ndryshe, gjatë ditës së shtunë ka pasur heshtje zgjedhore, por se LDK’ja ka mbajtur një konferencë, ku ka replikuar për akuzat e PDK’së për ligjin për dëshmitarët.
Kjo konferencë nga “Demokracia në Veprim” është konsideruar si thyerje e heshtjes zgjedhore, e cila ka filluar të premten dhe përfundon të dielën pas mbylljes së vendvotimeve në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet.