E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënojnë me protesta

Nga Express më 08 janar 2011 në ora 20:18

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së konsideron se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pensioneve për invalidët e luftës së UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve prej 50 për qind, nuk i zgjidh problemet e të gjitha kategorive të dala nga lufta.

Përmes një komunikate për media të shtunën, ky këshill ka kërkuar nga institucionet e vendit që të bëjnë ndryshime në ligjin për vlerat e luftës, në të kundërtën do të organizojnë protesta menjëherë pas formimit të Qeverisë.

Këshilli nuk e përkrah komunikatën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku kritikohet dhe kërcënohet publicisti Halil Matoshi.

Po ashtu, KMDL i UÇK-së shprehet kundër bisedimeve me Serbinë. Sipas këtij këshilli Serbia duhet të kërkojë falje publike dhe ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës, në mënyrë që të bisedohet për personat e pagjetur, lirinë e lëvizjes dhe fondin pensional.

“Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që t’i qasen punës për zgjidhjen e këtyre problemeve, në të kundërtën seriozisht do të përballen me protesta në muajin shkurt”, përfundon komunikata.

KMDL i UÇK-së është formuar në gusht të 2008. Qëllimi i formimit të këshillit është mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së. Këshilli edhe në të kaluarën ka mbajtur protesta dhe greva urie, me kërkesën për zbatimin e ligjit për vlerat e luftës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›