Policia negociata per vetedorezimin e vrasesit te balerines Sonila Tafa

Oficerët e hetimit të vrasjeve në Policinë e Tiranës, prej 3 ditësh po negociojnë me familjarët për të bindur Artur Kuliçin të vetëdorëzohet. 34-vjeçari është i dyshuari për vrasjen e balerinës 24-vjeçare Sonila Tafa.
Familjarët kanë rëndë dakort ta bindin të vetëdorëzohet, por sipas policisë ky fakt nuk ka bërë që të ndalen kërkimet për kapjen e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth 3:00 në të gdhirë të së shtunës, kur 34-vjeçari akuzohet se ka qëlluar me armë në drejtim të hyrjes së një pub-i në afërsi të Kthesës së Kamzës.
Si pasojë e të shtënave që kishin për objekt badigardët mbeti fillimisht e plagosur rëndë balerina Tafa, e cila ndërroi jetë rrugës për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak.
Ngjarja e ka zanafillën në problemet që po sillnin në pub 34-vjeçari bashkë me një mikun e tij, i cili do të identifikohen më vonë nga policia si 24-vjeçari Endon Bajraktari.
Dy të rinjtë dhe një vajzë që i shoqëronte janë nxjerrë jashtë nga badigardët, por ky veprim ka mjaftuar që 34-vjeçari të kthehej sërish, këtë herë i armatosur me pistoletë dhe të qëllojë në momentin kur dilnin punonjësit dhe klientët e fundit të pub-it.
Policia arrestoi Bajraktarin, me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, ndërsa një automatik i gjetur në banesën e tij mjaftoi për t’i ngritur dhe akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Njëkohësisht është sekuestruar edhe automjeti BMW seria 7, nga brenda të cilit sipas policisë është realizuar qitja me armë.