Policia nuk i ofroi mbrojtje të afërt

Ende pa u bërë dhjetë ditë nga dita kur mori kërcënime me vrasje, aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala, mbrëmë rreth orës 21:00 është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur.
Rreshter Agron Borovci, zëdhënës rajonal i Policisë në Prishtinë, ka deklaruar për Indeksonline se, menjëherë pasi që është raportuar për një rast sulmi në rrugën “Parandori Justinian” në lagjen Pejton të Prishtinës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Policia është duke punuar me përkushtim në sqarimin e këtij rasti dhe në identifikimin e sulmuesit”, ka thënë Borovci, duke shtuar se, po ashtu policia ende është duke e hetuar edhe rastin e kanosjes që Nazlie Bala kishte pranuar me datën 20 të këtij muaji.
Ndërsa, burimet e Indeksonline brenda Policisë, kanë thënë se, që nga data kur aktivistja e VV-së kishte pranuar një kërcënim me vrasje, policia ka shtuar patrullimet në rrugën ku jeton dhe vepron aktivistja Bala.
Po ashtu sipas burimeve të Indeksonline, edhe pse policia nuk i ka ofruar asaj mbrojtje të afërt, i ka rekomanduar që të shtoi vigjilencës dhe të mos vozitë vetëm.
Policia e Kosovës, dy ditë më parë ka thënë se, policia ka angazhuar njësitin e saj përkatës për vlerësimin e rrezikshmërisë ndaj viktimës Nazlie Bala, si dhe për shkaqe sigurie viktimës i është dhënë numri i njësisë së hetimeve, ku e njëjta është udhëzuar që për çdo rast, apo nevojë policore të kontaktoje direkt njësitet policore./Valdrin Krasniqi/Indeksonline/