E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentoi të vriste, kapet pas katër vitesh

 

GJIROKASTER - Policia e Gjirokastrës arrestoi dje një person të shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë. Gëzim Rizvani, nga Korça ishte shpallur në kërkim nga policia, pasi Gjykata e Lartë në Tiranë një vit më parë e kishte dënuar 30- vjeçarin rom në mungesë me pesë vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje. Dënimi në mungesë për Rizvanin ka ardhur pasi në nëntor të 2005-ës, në zonën ku jeton komuniteti rom në Gjirokastër, afër bregut të lumit Drino, ai ka qenë protagonist në një konflikt, i cili ka degjeneruar me përdorimin e armëve të zjarrit. Një sherr mes tij dhe një të afërmi për motive të dobëta (për ngacmim seksual të së motrës së kushëririt) ka bërë që Rizvani të merrte armën dhe të gjuante në drejtim të kushëririt të tij E.Q. Goditja me armë ka ndodhur në banesën e tij, ndërsa pas krimit Rizvani është larguar në drejtim të paditur. Viktima e këtij incidenti me armë E.Q., shpëtoi mrekullisht. Në atë periudhë policia falë provave balistike të vërtetuara nga qitja e armës dhe gëzhojave, si dhe gjurmëve të lëna në vendngjarje, dokumentoi ligjërisht se autori ishte Gëzim Rizvani. Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër më 28 shtator 2006 e dënoi atë me 11 vjet burg. Por kaq e ka dënuar edhe Shkalla e Dytë pas ankimimit. Gjatë apelimit në Kolegjin e Gjykatës së Lartë, Rizvanit iu ul masa e dënimit në pesë vjet. Policia e Gjirokastrës e ka kapur këtë shtetas në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative. Ai u arrestua në një kafe-bar në lagjen “18 Shtatori” të qytetit, pas një periudhe arratie në Greqi prej katër vitesh.                       p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›