E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia nxjerr jashtë qendrës së votimit vëzhguesin e PS, mbante sende të palejueshme

Policia e Tiranës deklaron se në Qendrën e Votimit Nr. 1862, pranë shkollës Shyqyri Peza në Kombinat, nga Komisioni i Qendrës së Votimit është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të policisë për nxjerrjen jashtë, të shtetasit Mihal Xhaka, lindur në Memaliaj Tepelene dhe banues në Tiranë, vëzhgues i subjektit politik Partia Socialiste, i cili sipas KQV-së, mbante sende të pa lejuara në Qendrën e Votimit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në kanë mbërritur menjëherë në Qendrën e Votimit Nr. 1862, dhe pasi kanë marrë në dorë nga Komisioni i Qendrës së Votimit, Vendimin Nr. 01 datë 28.06.2009 për thirrjen e policisë për të ndërhyrë, i firmosur dhe i vulosur nga i gjithë Komisioni, në të cilin është kërkuar që ky person të shoqërohet dhe sendet të mbahen në komision. Sipas deklaratës së policisë mësohet se me mbërritjen e shërbimeve të Policisë, Komisioni i Qendrës së Votimit mori një vendim të dytë me shumicën e anëtareve të tij që, shtetasi Mihal Xhaka, të mos shoqërohet në polici dhe të zëvendësohet më një tjetër, duke shfuqizuar Vendimin Nr 01, të këtij komisioni. Shërbimet e Policisë, morën masa për largimin nga Qendra e Votimit të shtetasit Mihal Xhaka. Pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit, forcave të policisë së shtetit u larguan për në vendqëndrimet e lejuara të policisë. Veprimet e Policisë, u kryen në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe me Udhëzimin përkatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›