Policia ofron 10 mijë euro për vrasjen e Yzberishtit
Hetimet
Grupi i punës ngre zyrtarisht tri pista hetimore
Policia e Tiranës deklaroi se për çdo person që jep informacion të vlefshëm për vrasjen në Yzberisht, do të ruhet anonimati

Petrit Kurti, vrare ne Yzberisht
Policia e Tiranës ka vënë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për kapjen e autorit të vrasjes së dy netëve më parë, që tronditi kryeqytetin. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini, tha se policia e Tiranës vendos shpërblimin prej 10 mijë eurosh për çdo person që jep informacion të vlefshëm, duke ruajtur në çdo rast anonimatin. Policia e kryeqytetit ka dhënë disa detaje për ngjarjen e rëndë, por ende nuk e ka cilësuar zyrtarisht nëse kemi të bëjmë me një grabitje, apo me vrasje për motive të tjera. Sipas zëdhënëses, rreth orës 22:00 të së enjtes, në qendër të Yzberishtit, është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak shtetasi Petrit Ibrahim Kurti (Nela) 53 vjeç, lindur në Selitë Mal e banues në Yzberisht. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 6 dhe oficerë për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Aty u formua grupi i posaçëm hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale, duke shoqëruar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, persona dhe dëshmitarë që kanë dijeni për këtë ngjarje. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet procedurale, si këqyrja e vendit të ngjarjes duke mbledhur dhe administruar provat. Paraprakisht nga grupi hetimor po punohet në disa pista hetimi, por kryesisht në konfliktet e mëparshme midis viktimës dhe autorit, motive pronësie apo vjedhje me dhunë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po punohet intensivisht në drejtim të zbardhjes së motiveve të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit. Kjo është ngjarja e dytë me përmasa kaq të rënda, që ndodh brenda këtij muaji në Tiranë, ku herën e parë u vra me thikë një grua për grabitje, ndërsa kësaj here u ekzekutua me dy plumba pronari i një marketi. Bëhet fjalë për grabitjen te Fusha e Aviacionit, ku humbi jetën Fatbardha Tafaj, për ekzekutimin e të cilës është arrestuar Aldo Hoxha. Edhe për këtë vrasje, policia e Tiranës vuri në dispozicion 10 mijë euro për informatorët, por deri më sot, provat për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të saj mbeten në dyshim, pasi edhe nëse Hoxha është një prej autorëve, ende nuk ka asnjë provë për identifikimin e bashkëpunëtorit të tij.
Hetimet
Familja e Petrit Kurtit shprehet se nuk ka asnjë konflikt. Pista kryesore, grabitja
Tregtarin e vranë në sy të gruas, kamera fiksoi fytyrën e vrasësit
Vrasja e pronarit të marketit në Yzberisht, Petrit Kurti, është kryer në sy të gruas së tij, ndërkohë që kamera e sigurisë ka fiksuar fytyrën e ekzekutuesit. Këto janë faktet e reja nga hetimi i policisë, që më shumë po shkon drejt një grabitjeje me pasojë vdekjen, pavarësisht se policia po e heton edhe për ndonjë konflikt të mundshëm, pasi vetë familja deklaron që ai nuk ka pasur asnjë sherr. Ndërkaq, grupi hetimor, nga studimi i filmimeve nga kamerat e sigurisë ka shoqëruar disa të dyshuar banorë të Yzberishtit, kontingjent kriminal, si persona të dyshuar për krimin e rëndë, që tronditi kryeqytetin. Ndërsa familja, përballë kësaj tragjedie, nuk ka ditur mbi kë të vendosë gishtin për krimin e rëndë. Familjarë të shumtë, por edhe banorë të zonës, i kanë dhënë lamtumirën e fundit Petrit Kurtit, 53 vjeç, i cili u vra me dy plumba pistolete nga një person, i cili mendohet se kishte ardhur për ta grabitur. Vetëm pak metra larg marketit, ku ndodhi krimi i rëndë, ndodhet shtëpia e tij, ku dje është zhvilluar ceremonia për lamtumirën e fundit.
Kamera e sigurisë
Nga ana tjetër, në të gjithë zonën e Yzberishtit, edhe pranë shtëpisë së tij, policia kishte shpërndarë agjentët e saj, me qëllim identifikimin e autorëve të vrasjes, ose mbledhjen e sa më shumë informacioneve të vlefshme, në lidhje me këtë krim. Sipas informacioneve të policisë, gjithçka ka ndodhur në harkun e pak sekondave brenda ambienteve të marketit të Petrit Kurtit, ku veç tij, ndodhej edhe e shoqja, e cila ishte në banak. Gjithçka për këtë ngjarje është rindërtuar mbi bazën e filmimeve të kamerave të sigurisë, ku duket qartë përplasja mes Kurtit dhe ekzekutorit të tij. Sipas filmimeve, që familjarët shprehen se i ka sekuestruar policia, pasi ambienti ishte i pajisur me kamera sigurie, një person, i veshur me xhins dhe që në kokë mbante kapele, për të fshehur fytyrën, ka hyrë me vrap në market. Por, aty është përplasur me 53-vjeçarin, kështu që mes tyre ka pasur një debat. Në këtë kohë, grabitësi ka nxjerrë një pistoletë, ndërkohë që tregtari e ka kapur armën nga tyta, me qëllim që tia heqë nga dora. Por, pa u menduar fare, autori e ka shkrepur pistoletën dy herë, duke e shtrirë në dysheme Petrit Kurtin. Më pas, ai është larguar me vrap, ndërkohë që jashtë mendohet se e priste një person tjetër, të paktën kështu duket nga filmimet, megjithëse nuk përjashtohet edhe mundësia e një hijeje të krijuar gjatë lëvizjes së autorit që kreu vrasjen. Ndërkaq, sipas policisë, kamera e sigurisë, në disa frekuenca të momenteve të ndryshme, brenda pak sekondash, që ka zgjatur e gjithë ngjarja, është fiksuar fytyra e vrasësit. Madje, ajo është stampuar si foto nga specialistët e policisë dhe u është shpërndarë agjentëve në terren.
Në sy të gruas
Por, krimi i rëndë ka ndodhur i gjithi në sy të gruas. Bashkëshortja e viktimës ka qenë në banak dhe ka mbetur e shtangur nga krismat, pasi nuk e ka vënë re momentin e nisjes së konfliktit. Menjëherë pas krismave, ajo ia ka dhënë me të bërtitur dhe ka kërkuar ndihmë. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes janë afruar edhe të afërm të tjerë të familjes, por asnjë prej tyre nuk ka parë ndonjë person të dyshuar në zonë. Kjo ka ngritur dyshimet e policisë se autori është njohës i mirë i zonës, ose banor i saj. Megjithatë, nga të dhënat e para të grupit hetimor mësohet se bashkëshortja e viktimës ka vënë re fytyrën e vrasësit, por në kamerën e sigurisë, imazhi i tij nuk është aq i qartë sa mund të çojë në identifikimin e menjëhershëm të autorit. Ndërsa familjarët janë shprehur se krimi ka qenë edhe më i rëndë për bashkëshorten e tij, pasi ajo ka parë skenën makabër.
Policia dhe familja
Sipas policisë, pista e grabitjes nuk është e vërtetuar plotësisht, pasi grabitësi duket sikur ka biseduar diçka me pronarin e marketit, para se ta qëllonte dhe se ai nuk ka tentuar të afrohet te banaku, ku ndodheshin paratë. Por, specialistë të tjerë të policisë tregojnë se grabitësi është nisur me vrap për të shkuar te banaku, ku ndodhej vetëm bashkëshortja e viktimës, por rrugës i ka dalë papritur 53-vjeçari, për të cilin, grabitësi ka menduar se nuk ndodhet aty. Gjithashtu, policia ka deklaruar se po hetohet edhe për një konflikt pronësie mes viktimës dhe autorit, por familja ka hedhur poshtë çdo konflikt të mundshëm të tij. Ne nuk kemi pasur asnjë konflikt. Për më tepër, Petriti ka qenë njeriu që mund të konfliktohej i fundit. Policia të gjejë se kush është autori. Kamerat i kanë ata, hetimet i kryejnë ata, kështu që edhe vrasësin ta gjejnë ata, tregon një nga familjarët në portën e shtëpisë së vi