E Diel, 1 Nëntor 2026

Mozaiku i degraduar i Shek.V në Antigone, drejt restaurimit tërësor

Gjirokastër- Mozaiku paleo-kristian i Antigonesë do i nënshtrohet restaurimit tërësor të tij.

Monumenti i rrallë i vendosur në dyshemenë e kishës  së shek.V-VI gjendet në një fazë kritike pasi bazamenti është në prag të dedragimit dhe deri më tani rezultojnë të humbura qindra tesera shumëngjyrëshe. Një prej monumenteve më të rralla të artit paleokristioan në Jug të Shqipërisë, mozaiku shumëngjyrësh i vendosur në dyshemenë e kishës së dikurshme të Antigonesë pritet t’i nënshtrohet restaurimit, çka do të bëjë të mundur që ky objekt t’i shpëtojë degradimit të tij të pakthyeshëm. Arkeologët dhe specialistët e Parkut Arkeologjik të Antigonesë ndër vite kanë kërkuar mbështetjen e donatorëve për të shpëtuar  monumentin që daton në shek. V-VI të erës sonë dhe duket se më në fund, do të mundësohet ndërhyrja në të.

Projekti me vlerë rreth 30 mijë euro i finacuar nga Ambasada e Gjermanisë në vendin tonë, është në fazën e diskutimeve teknike dhe shumë shpejt do të vendoset edhe specialistët që do të ndërhyjnë si edhe teknikat që do të përdoren për restarim në mënyrë që të mos humbasë asgjë nga vlerat e tij.

Ambasadorja gjermane e ka vizituar këtë mozaik para se të fillojë ndërhyrja restauruese dhe nga Antigoneja ka deklaruar se shpreson që burokracitë të marrin fund shpejt për të shpëtuar këtë monument që siç u shpreh znj. Carola Müller-Holtkemper mbart vlera unikale.

“Specialistët më bënë një përshkrim të përmbledhur rreth këtij mozaiku dhe gjendjes aktuale të tij. Monumenti  bën pjesë në trashëgiminë materiale të Antigonesë dhe Shqipërisë. Pas restaurimit të parë rreth viteve ’80-të ai pothuajse u braktis dhe tashmë po përballet me probleme serioze të strukturës së bazës së tij. Ne u treguam të gatshëm t’i japim autoriteve një dorë për të përballuar restaurimet e këtij thesari kulturor. Ende ka disa çështje administrative për t’u zgjidhur por unë jam optimiste se dialogu do të jetë i mbarë dhe ne do të na bëhet e mundur të shpëtojmë këtë pjesë shumë intersante të një vepre arti. Nga sa vërejta, ka motive pagane brenda një vepre arti që  formojnë dyshemenë e një objekti kristian. Unë pak mund të them për rëndësinë e këtij fakti por specialitët mendojnë se është shumë shumë e rrallë”-ka thënë në fjalën e saj të gjatë, ambasadorja gjermane.

Kisha paleokristiane e Antigonesë, një kishë njënefëshe me absida anësore trekëndëshe, përveçse ndërtimit dhe planimetrisë së veçantë, pozicionit gjeografik, dallon edhe nga  mozaiku i zbuluar në të, i cili shfaq një figurë me trup njeriu dhe me kokë qeni, ose një figurë sfinksi pagan. Kjo figurë është e identifikuar me Shën Kristoforin dhe përbën shembullin më të vjetër të kësaj paraqitje ikonografike. Mozaiku që të paktën në 30 vitet e fundit nuk është restauruar asnjë herë përbëhet nga miliona tesera guri me ngjyra dhe figura qëndrore qarkohet nga motive gjeometrike, dhe elementë dekori floreale.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›