E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia parandalon grabitjen e bankës

23/06/2009  Në Raiffeisen Bank hynë dy të rinj, por u larguan kur panë policinë

Hynë të armatosur në bankë dhe ishin të maskuar me kapele dhe syze dielli

TIRANE- Tentohet të grabitet për të dytën herë dega e bankës Raiffeisen Bank që ndodhet tek kryqëzimi “Zogu i Zi”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 kur dy persona të armatosur me pistoleta kanë hyrë në filialin e Raiffeisen Bank, por më pas janë sinjalizuar se po afrohej një patrullë policie dhe kanë dalë prej saj, pa mundur të marrin asgjë. Tentativë për grabitjen e bankës duket se ishte planifikuar prej kohësh, pasi në shërbim të dy personave ende të paidentifikuar kanë qenë edhe persona të tjerë që mendohet se gjatë grabitjes kanë qëndruar të pozicionuar jashtë ambienteve të bankës. Dëshmitarët okularë dhe punonjësit e bankës i thanë policisë së dy personat që kanë hyrë të armatosur në bankë, kanë qenë të maskuar me kapele dhe syze dielli. Ky maskim tradicional, nuk ka lejuar dëshmitarët që të dallojnë me saktësi ndonjë karakteristikë të veçantë, e cila do të ndihmonte policinë për identifikimin dhe arrestimin e tyre. Burime pranë policisë së kryeqytetit thanë se ka qenë një telefonatë brenda mureve të bankës që ka vënë në lëvizje uniformat blu. Menjëherë pas marrjes së njoftimit një patrullë policie është nisur me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Mirëpo siç duket për praninë e saj janë informuar edhe dy grabitësit, të cilët kanë dalë nga banka dhe janë larguar menjëherë në rrugicat e zonës. Pranë filialit kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Nga të dhënat e para mësohet se dy grabitësit kanë qëndruar shumë pak kohë në ambientet e brendshme të bankës. Ndërkohë asnjë nga personeli i bankës nuk ka mundur të identifikojë grabitësit, pasi ata fytyrën pothuajse e kishin të mbuluar tërësisht. Ndërsa përshkrimet e fizikut të tyre sipas policisë janë shumë të përgjithshme, çka tregon se vetëm me anën e kamerave të sigurisë mund të hidhet sado pak dritë mbi identitetin e tyre. Policia ka sekuestruar pamjet e të gjithave kamerave të sigurisë në mënyrë që ato t’i krahasojë me disa pamje të tjera që bëjnë fjalë për disa persona që dyshohen si grabitës serialë. Ndërkohë që kohë më parë, një tjetër grabitës vodhi filialin e bankës Raiffeisen Bank te “Zogu i Zi”, i cili u arrestua pak kohë më vonë, pas hetimeve të policisë. Aktualisht ky person është dënuar nga gjykata e Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›