E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia sekuestron rreth 30 mijë euro false, dy në pranga

Një operacion i policisë i koduar "EuroMat", ka përfunduar në arrestimin e dy shtetasve, pasi u kapën me monedha Eurosh false.
Në pranga ra shtetasi Skënder Selim Buçpapaj , 37-vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë dhe Entela Hasan Dardha, 29- vjeç, lindur në Mat dhe banuese në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pas një investigimi disa mujor. Këta shtetas u kapën në flagrancë teksa po tentonin të këmbenin një shumë të konsiderueshme kartëmonedhash Euro false. Gjatë kontrollit ndaj këtyre personave, në automjetet dhe banesat e tyre, iu gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 33 320 euro, kartëmonedha të gjitha të prerjes 20 euro me dy numra serie të njëjtë, një sasi lëndë narkotike e dyshuar heroinë për përdorim dhe qese e mostra për shitje ne treg, dy vula të falsifikuara të shoqërive tregtare, 6 telefona celularë, si dhe një makine tip BMV.

Nga hetimet ka rezultuar se këta dy shtetas janë pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të eurove të falsifikuara dhe drogës. Vazhdojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të implikuar. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›