E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirë, mirë, po kush të dëgjon?

TIRANE- Kot lodhesh, kot shkruan, kot vret mendjen! Sepse tani, o byrazer, të vërtetat tek ne nga një vesh u hyjnë e nga tjetri u dalin shumicës së shqiptarëve të lodhur, të telendisur e të zhgënjyer! E sidomos qeveritarëve tanë të dehur me veten e kordhëtarë me ne! është e kotë, - kështu më ngjan se thonë sytë e qytetarëve të dëshpëruar, - sepse tanimë asgjë nuk ndryshon në shoqërinë tonë prej shtysës dhe ndihmesës së Fjalës së shkruar, sado e guximshme, e lirë dhe e vërtetë të jetë ajo! Sepse Shqipërinë e qorrsokakut e ka mbuluar tejembanë balta e llumi i shpifsharjeve e prej tyre nuk ke shpëtim tjetër, përveçse të pisosesh e njollosesh nga koka te këmbët! Kush pra nga lexuesit do të ishte i gatshëm ta pranonte këtë kryqëzim e nëmosje, apo më saktë, këtë masakrim moral e publik të pamerituar për hir të Fjalës së lirë? Një bej kolonjar, në kohën e dushmanit, pat thënë: E di që do të më vrasin, po kam frikë se mos më vret ndonjë evgjit e nesër njerëzia do të më mbajnë mend pikërisht për këtë turp...
Prandaj, o njeri i lirë, më mirë hesht e mos fol se gjirizet e ujërave të zeza janë të hapërdara gjithandej! Sepse ndërsa dje të rrasnin në burg, sot të poshtërojnë, por ama nuk të fusin në burg. Ndërsa diktatura të thosh: guxo e fol kundër që të dënohesh si armik, sot të thonë: je i lirë të fjalërosh sa të duash kundër që të identifikohesh me vullnet të lirë që nuk je i “yni”, d.m.th, armik. Në të dy rastet në popull kultivohet më pas indiferentizmi, sepse Fjala, pasi zhvlerësohet, vishet me amiantin e shprehjes: “Mirë, mirë, po kush të dëgjon se?” Këtë këshillë dëgjoj herë pas here të më thuhet nëpër rrugë nga jo pak dashamirë, të njohur e të panjohur. Lexuesit të ndalin për një përshëndetje a mirënjohje, por kurrsesi për të të dekurajuar, përkundrazi, për t’u solidarizuar me shqetësimet e ngritura një ditë më parë në gazetë...Ata e dinë fort mirë që në Shqipërinë demokratike është “e garantueme” me ligj Fjala e lirë; meqë kryeministri Berisha u ka pas dhënë urdhër të prerë vartësve të vet që të mos u përgjigjen akuzave të shtypit, d.m.th të bëjnë veshin shurdh e syrin qorr!...Por, a do të thotë kjo që në Shqipëri Fjala publike ende ka peshë, nder, vlerë, respekt dhe ndikim si në çdo shoqëri demokratike?
“Mirë, mirë, po kush të dëgjon”?

Lexuesit e vëmendshëm i dëgjoj, i falënderoj, hesht; e ndonjëherë guxoj t’i kundërshtoj kësisoj: E keni gabim që kujtoni se tek ne për shkak të mësymjes së hakersve partiakë Fjala thuajse ka dhënë shpirt; por po të ishte kështu, atëherë nuk do të guxonte kush thosh të vërtetën në këtë vend. Por, derisa Fjala vepron kësisoj edhe mbi ju, si qytetarë, qoftë edhe për të arritur në këtë përfundim dëshpëronjës (“kujt i flet, murit?”) kjo provon se ajo (Fjala) ende nuk e ka humbur fuqinë, as ndikimin e as kuptimin në shoqërinë tonë të traumatizuar!...Pra, si unë e plot të tjerë ende besojmë se ia vlen të jesh punëtor i Fjalës, sado kosto të rëndë të ketë kjo barrë, gjë që provon se në Shqipëri nuk ka për t’u vdjerur përfundimisht shpresa për demokraci funksionale, dhe as gjuha e saj: Fjala e lirë!
Por, pasi ndahem nga këshillonjësit e mi të urtë, dhe sidomos kur lexoj komentet e ca llapaqenëve anonimë në internet që gjuajnë në errësirë e pas shpine, pyes veten: si ka mundësi që edhe në vitin 2010 ka të tillë që pranojnë të identifikojnë veten me skllavin, me një skllav trushkulur e trushpëlarë, i cili është gati të hidhet në zjarr për skllavopronarin (kryetarin e partisë), edhe kur ky të hedh në erë, edhe kur të përmbyt, edhe kur të çon në krizë a në prag të luftës civile, edhe kur të vjedh e të shkatërron shansin historik?!
Edhe pse medemek jetojnë në demokraci apo qoftë edhe në diasporë, këta vrasës pa pagesë të lirisë së Fjalës si kanë guximin të provojnë” me vullnet të lirë” se “njeriu i ri i partisë”, “besniku” deri në vdekje i udhëheqësit ende nuk ka cofur si dukuria me shëmtuar e diktaturës që lamë pas?! E pra, janë këta zullumqarë që kanë për “mision” të lënë pa përgjigje pyetje të tilla shokuese:
Mos vërtet është e kotë të kërkosh e të guxosh të thuash të vërtetën në Shqipëri? Mos po vjen kjo ditë kur Fjala edhe mes miqsh të jetë ë të bëhet pa kuptim e pa vlerë? Mos vërtet opinioni ynë publik ka fituar tashmë imunitet jo vetëm nga Fjala e lirë, po edhe nga skandalet madhore, të njëpasnjëshme e të pashembullta, si p.sh, Gërdeci apo përmbytjet në Shkodër?
Mos vallë është e vërtetë që, edhe pse nuk na pëlqejnë, edhe pse nuk i meritojmë këta biçim udhëheqësish “karizmatikë”, ne vazhdojmë t’i ndjekim pas, madje t’i zgjedhim e t’i sjellim në pushtet edhe pas viteve të mbrapshta 97-98-të si dhe t’i duartrokasim kur këta hairsëzë e krahasojnë veten me Skënderbeun, por edhe kur bëhen lepitkë e lëtyrë para të huajve, edhe kur na mashtrojnë e na gënjejnë në dritë të diellit? Kaq të manipulueshëm qenkemi bërë ne?! Mos vallë e kemi hak që mbetëm të parët në varfëri e të fundit e Ballkanit në standarde e në integrim, të parët në rritje ekonomike e të fundit në mirëqenie, të vetmit që organizohemi me vetëgjyqësi dhe Kanun, edhe pse ata, krerët tanë, pavarësisht nga sistemet politike, ndryshojnë nga njëri-tjetri vetëm nga kostumet, nga portretet, nga timbri i zërit, por jo nga bëmat, nga dëmet e sidomos nga demagogjia e tyre e pashterur? Mos vallë jemi mësuar të ushqehemi me silazhin mediatik të partive të tyre private që na i hedhin gënjeshtrat e premtimet në grazhd si ushqim të përditshëm e ne vazhdojmë të ripërtypim, si buajt, fjalët dhe mashtrimet e tyre?Mos vallë e kemi në gjak kundërvënien pa shkak dhe luftën pa arsye me njëri-tjetrin sepse nuk ndahemi dot nga trashëgimia e mercenarizmit që për hiçmosgjë vret dialogun, mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë?

Dy janë mjetet me të cilat realizohen qëllimet djallëzore nga diktatorët e të gjitha ngjyrave dhe flamurëve: 1. Mbjellja e frikës (me luftën e klasave, ose me përjashtime nga puna e nga të drejtat më elementare të njeriut...) si dhe: 2. Bombardim i përditshëm mediatik i opinionit publik nga naziskinët, kmerët e kuq, lejfenët e mercenarët e blerë e të mirëorganizuar që hidhen nëpër betejat mediatike e elektorale, nëpër sondazhe e debate si qindëshe herë të kuqe e herë të zeza për të paralizuar fuqinë, mundësinë dhe intelektin e shumicës!
Dihet që suksesi më i madh i një regjimi autoritar e i një lideri autokrat është kur qytetari i thjeshtë fillon të dekurajohet e të humbasë shpresën e ndryshimit me anë të votës e sidomos të Fjalës së lirë; kur qytetari pranon t’i dorëzohet pa kushte dhunës dhe arbitraritetit, padrejtësisë dhe abuzimit zyrtar, mashtrimit dhe shkeljes flagrante të Ligjit nga më të fortët, ngaqë nis të besojë e të mendojë se: “është e kotë vëlla, t’i biesh murit me kokë”! A nuk e kishte mbështetur pikërisht këtu fuqinë e vet diktatura?
Nuk ka dyshim që pika e vdekjes së çdo lloj demokracie është kur qytetari i dorëzohet pa kushte indiferentizmit e kur fillon të besojë se përnjimend është e kotë kundërshtia, se asgjë nuk mund të ndryshohet e të përmirësohet me debat, me dialog, me vullnetin, me votën, me zgjedhjet e me përpjekjet e tij! Kësisoj dalin jashtë loje e bëhen pa asnjë kuptim edhe protestat, edhe manifestimet, edhe rezistenca, edhe zgjedhjet, edhe Fjala, madje edhe pluralizmi i cili ka nisur të degradohet në partitizëm e më pas edhe partitizmi po zëvendësohet nga kryetarizmi, që do të thotë se monopolin e së vërtetës, të krizës apo të antikrizës e ka dhe e mban vetëm një njeri! E pra, a kemi mbërritur ne në këtë situatë ngërçi mes Fjalës dhe publikut, mes politikës dhe realitetit, derisa po e kërkojmë dhe po e presim edhe zgjidhjen e krizës së tanishme jo nga “gjuha shqipe”, as nga debatet e dialogu, as nga Kuvendi apo Tryezat, po nga gjuhët e ndërkombëtarëve? Mos do të thotë kjo se në ditët që po vijnë edhe kryetarizmi do të detyrohet të dalë jashtë loje? E pra, kjo do të jetë fatura e pashmangshme që do të duhet të paguajë një ditë kjo gjasmedemokraci pas zhvlerësimit të kësollojtë të Fjalës publike.
Për hir të së vërtetës duhet pranuar që Berisha, në këto njëzet vjet, pikërisht këtu e ka mbështetur suksesin e vet të padiskutueshëm: “thembra e tij e Akilit” është zhvlerësimi i qëllimshëm i Fjalës, dekurajimi dhe demotivimi skajor i opinionit publik. Me këtë “mjet” magjik ai po sundon qetësisht e me kollajllëk jo vetëm qytetarët, po edhe Shqipërinë! Por ama, edhe kjo lloj “politike” do të ketë një ditë fund kur të vijë çasti kur askush të mos i besojë askujt e kur kryetarizmi, duke u bërë për ditë e më tepër kurth i Fjalës së lirë, kur njeriu të detyrohet me hir e me pahir të mos besojë më se në këtë shoqëri vetëm Njëshi ka në dorë fatin e tij bashkë me të drejtën të përcaktojë se kush duhet të quhet e vërtetë e kush gënjeshtër, ky ndoshta do të jetë stacioni i fundit i këtij sistemi deledash, gjysmë diktaturë e gjysmë demokraci!
Vetëm pas kësaj ne do të ndihemi e do të quhemi qytetarë evropianë!

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›