Kingston DataTraveler 310
Memoria e re DataTraveler vjen me kapacitet prej 256 gigabajt, e përveç kësaj sjell edhe performancë më pozitive. Kompania “Kingston” ka paralajmëruar një memorie të re USB me kapacitet të madh, e cila vjen me emrin DataTraveler 310. Kapaciteti maksimal me të cilin ofrohet kjo memorie është 256 gigabajt. Dimensionet e shtëpizës së saj janë 73 x 22 x 16 milimetra, ajo mbështet USB 2.0 e 1.1, ndërsa shpejtësia e transmetimit të dhënave që memoria arrin janë 25 MB/s në lexim dhe 12 MB/s gjatë regjistrimit të dhënave. Sipas përllogaritjeve të prodhuesit, në kapacitetin prej 256 GB mund të ruhen të dhënat e 365 CD-ve, 54 DVD-ve apo 51.000 fotografi. Në tregun amerikan DataTraveler 310 shitet me çmim astronomik prej 1.100 dollarësh, dhe me garanci prej pesë vitesh.
Puma Phone
Celulari me mbushje diellore për njerëz aktivë
Edhe Puma ka qenë sivjet pjesë e kongresit “Mobile World Congress” në Barcelonë, duke paraqitur bashkëpunimin e saj me kompaninë Sagem, telefonin celular të emëruar thjesht - Puma Phone. Puma Phone para së gjithash u dedikohet njerëzve me një stil aktiv jetese, sportistëve dhe përdoruesve të rinj, që vërehet nga tastet me të kuqe dhe vogëlsi tjera si puma e animuar e cila shëtit nëpër ekran, por edhe shumë funksione të tjera interesante si pedometër, GPS e busullë. Natyrisht, pajisja është më interesante për faktin se tërë pjesa e saj e pasme mbulohet nga mbushësi diellor, i cili ka kuptim më së shumti në kësilloj telefoni, i cili është i dedikuar për përdorim në të hapur dhe natyrë. Ai ka ekran të ndjeshëm në prekje prej 2.8 inç, lidhe GPS, Bluetooth, USB e HSPA, fotoaparat prej 3.2 megapiksela me blic LED.
20 Shkurt 2010