Policia serbe ndalon aktorët kosovarë
Një grup aktorësh të rinj kosovarë nuk janë lejuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, të hyjnë në pikën kufitare mes Gjilanit dhe Preshevës. Sipas gazetës kosovare "Express", artistët kosovarë do të prezantoheshin në festivalin "Ditët e Komedisë Shqiptare", cili tradicionalisht mbahet në Preshevë. Në këtë festival, i organizuar nga shtëpia e kulturës "Abdulla Krashnica" në Preshevë, marrin pjesë trupat e teatrove nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Sipas të dhënave, organizatori i festivalit i ka njoftuar organet kompetente të Serbisë për mbajtjen e këtij festivali dhe për teatrot pjesëmarrëse. Por dje ka dalë urdhri që Teatri i të Rinjve të Prishtinës të mos kalojë në Preshevë. Organizatorët e kanë quajtur këtë rast si hakmarrje politike dhe tentim të destabilizimit të rajonit. Për këtë kanë kërkuar që të ketë reagim edhe në Parlamentin e Serbisë.