Reshjet e dëborës "izolojnë" Kukësin
I ftohti dhe reshjet e dëborës që kanë përfshirë gjithë veriun e vendit ka krijuar probleme serioze për banorët e këtyre zonave. Kështu, i gjithë rajoni i Kukësit është gdhirë dje i mbuluar nga dëbora dhe temperatura të ulëta. Trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit arriti deri në 20 cm, ndërsa në zonat e thella deri në 50 cm. Reshjet e dendura që nisën mbrëmjen e së enjtes kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Policia rrugore ka njoftuar se aksi kombëtar i rrugës Kukës-Tiranë (që lidh edhe Kosovën), është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërkaq policia këshillon që të shmangen udhëtimet gjatë orëve të natës, për shkak se ulja e ndjeshme e temperaturave krijon kushte për formimin e akujve dhe bëhen burim aksidentesh. Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Kukës ka vënë në punë të gjithë kapacitetin teknik dhe është përqendruar në segmentet Kukës - Qafë-Shllak, Kukës - Shishtavec etj., si dhe Kukës - Krumë. Në aksin Kukës - Tiranë është punuar gjatë gjithë natës dhe rruga ka funksionuar me dy kalime, ndërsa ajo e Krumës dhe e Shishtavecit vetëm me një kalim. Kjo e fundit, edhe pse me zinxhirë, përshkohet me shumë vështirësi, për shkak të trashësisë së madhe të dëborës që arrin deri në 50 cm.
Komunat
Situata atmosferike e ditëve të fundit ka bërë që komunat e thella të Kukësit të jenë gati plotësisht të izoluar. Mësohet se zona e Zapodit, Arrnisë, Kalisit, Gryka e Çajës dhe shumica e fshatrave në rrethin e Hasit janë nën dëborë. Deri tani nuk është njoftuar për aksidente rrugore me pasojë jetën e njerëzve, ndonëse ka pasur një numër automjetesh të dala nga rruga ku janë dëmtuar vetëm mjetet, si edhe mallrat që transportonin, ndërkohë që furnizimi me drita përgjithësisht ka qenë normal.
Më mirë paraqitet situata në rrethin e Tropojës, ku reshjet e dëborës kanë qenë më të pakta dhe akset rrugore nacionale kanë funksionuar pa ndërprerje. Nga ana tjetër, shtabi i emergjencave civile në prefekturë thotë se në zonat e izoluara nuk mungon uji i pijshëm, ndërsa furnizimi me ushqime është kryer më herët dhe se situata po mbahet nën kontroll.
Energjia elektrike
Tri komuna të thella të Kukësit, si Gryka e Çajës, Kalisi dhe Bushtrica, kanë pasur ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, për shkak të defekteve në rrjet që kanë ardhur si pasojë e motit të keq. Furnizimi me energji elektrike në këto komuna bëhet nga nënstacioni i Peshkopisë, ku edhe asistenca për riparimin e defekteve nuk ka qenë eficente.
Edhe Komuna e Shishtavecit, që nga mbrëmja e kaluar është pa energji elektrike. Kryetari i komunës, Dylejman Nela, thotë se ka pasur shkëputje të energjisë elektrike, për shkak të dëborës dhe akullit. Për banorët e kësaj komune përbën rrezik edhe trashësia e dëborës mbi çatitë e shtëpive, të ndërtuara me rrasa guri, të cilat rrezikojnë të shemben nga pesha e madhe.
Gjithashtu, fshati Breglum, në afërsi me qytetin e Kukësit, është pa energji elektrike që prej 48 orësh, pas këputjes së telave të tensionit të mesëm. Për më tepër ky fshat, me reshjet e fundit të dëborës, ka mbetur edhe pa lidhje rrugore me aksin nacional të autostradës. Devijimi i rrugës së fshatit një vit më parë nga ndërtuesit e autostradës bëri që krejt fshati të izolohet. Në vend të rrugës së vjetër, që i lidhte me aksin kombëtar, ata ndërtuan një segment me pjerrësi 30 gradë, ku me dëborën e rënë është e pamundur të kalohet. Ky fshat përbëhet nga më shumë se 1000 banorë, të cilët tashmë janë plotësisht të izoluar.