E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia s'lejon Agimin e Artë të ndajë ushqime vetëm për grekët

ATHINE - Forcat e policisë MAT janë konfrontuar sot në mëngjes me anëtarët e Agimit të Artë, të cilët donin të shpërndanin ushqime “vetëm për qytetarët grekë”. Policia madje përdori edhe kimikate për të ndaluar lëvizjen e veprimtarëve të Agimit të Artë.

Gjithçka nisi në mëngjes kur anëtarët e kësaj partie u përpoqën të fillojnë ndarjen e ushqimeve ashtu siç kishin paralajmëruar, ndërsa policia ndaloi kamionin e ngarkuar me produkte të ndryshme. Në vendngjarje ndodhej edhe prokurori, i cili kërkoi arrestimin e personave që pengonin punën e oficerëve të policisë. 

Deputeti Ilia Panaiotaros tha se aktiviteti ishte njoftuar dhe se ishte tërësisht ligjor. Ndërkohë rrugët përreth sheshit Sintagma u bllokuan dhe qarkullimi u kufizua. 

Kryebashkiaku i Athinës Jorgo Kaminis njoftoi dje, se nuk do të lejojë ndarjen e "racioneve me urrejtje” dhe se nuk do të lejojë ndasi të tilla siç kërkon të krijojë Agimi i Artë. 

Në përgjigjen e vet, Agimi i Artë e përshkroi se "të neveritshme" deklaratën e kryetarit të bashkisë së Athinës, duke vënë në dukje se në Greqi "ende ka demokraci dhe askush nuk mund të mohojë të drejtën e një partie."
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›