E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, sugjerim Ruçit: Na sill provat që ke për vrasjen e Xhindit

Reagon Policia e Shtetit për deklarimin e bërë nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, mbi vrasjen e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindi. Policia tha se sqarohet opinioni publik se për këtë ngjarje të rëndë është regjistruar procedimi penal nr. 40, viti 2009, për veprat penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" dhe "Armëmbajtjes pa leje", parashikuar nga nenet 79/c dhe 278/2 të Kodit Penal. "Për zbulimin e kësaj ngjarjeje është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e tre prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda, si dhe 10 oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dhe Departamentit për Hetimin e Krimeve në Policinë e Shtetit", deklaroi policia. Më tej, policia u shpreh se për hetimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, nga ana e Policisë së Shtetit është ngritur një grup pune me specialistët më të mirë dhe me më shumë integritet profesional, duke vënë në dispozicion të hetimit të gjitha resurset njerëzore dhe teknikat speciale bashkëkohore të hetimit, me qëllim dokumentimin ligjor të këtij krimi. "Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit po vazhdon hetimet me intensitet të lartë, duke analizuar me kujdes të gjitha informacionet e marra për këtë çështje së bashku me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe po zbaton të gjitha detyrat e deleguara nga ana e prokurorëve. Policia nuk u është shmangur asnjëherë përgjegjësive të saj, duke zbatuar me korrektësi detyrimet që i ngarkohen asaj nga ligji "Për Policinë e Shtetit". Për këto arsye, i sugjerojmë zotit Gramoz Ruçi, që në funksion të zbulimit të së vërtetës, të gjithë informacionin e nevojshëm që disponon, ta vërë në dispozicion të Prokurorisë Për Krimet e Rënda, si autoriteti përgjegjës që drejton dhe heton këtë çështje. Deklarata të tilla dezinformuese dhe abuzive kanë për qëllim pengimin e punës së bërë nga grupi hetimor dhe të shkaktojnë vonesa në zbardhjen e së vërtetës.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›