Policia urdhërohet të shpërndajë protestat në Egjipt

Qeveria e përkohshme egjiptiane, e mbështetur nga ushtria, urdhëroi policinë që të shpërndajë protestuesit mbështetës të ish-presidentit Mohamed Morsi, që vazhdojnë të dalin në rrugë dhe sheshe të vendit. Mijëra mbështetës të Morsit, që prej 3 korrikut vazhdojnë të ulen në sheshet dhe rrugët e vendit, kryesisht në Kajro dhe kërkojnë rikthimin e tij në pushtet.
Në një deklaratë të shpërndarë nëpërmjet televizionit shtetëror, qeveria e përkohshme egjiptiane tha se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’iu dhënë fund këtyre protestave që paralizojnë vendin.
Ajo që vihet re në deklaratën e autoriteteve, është përkufizimi i protestave “si kërcënim kombëtar serioz”, transmeton TCH.
Mbështetësit e “Vëllazërisë Muslimane” kanë injoruar thirrjet e mëhershme të qeverisë për t’u shpërndarë dhe në disa raste përleshjet e tyre me forcat e sigurisë apo manifestues pro ushtrisë, kanë lënë pas dhjetëra të vrarë.
Protestat kryesore janë përqendruar në sheshin pranë xhamisë Rabaa al-Adawiya, në veri-lindje të Kajros, aty ku të shtunën u regjistruan përleshje të forta që shkaktuan vdekjen e të paktën 70 personave.
“Situata e rrezikshme në Rabaa al-Adawiya, në sheshin Nahda dhe aktet terroriste të vazhdueshme me bllokimin e rrugëve nuk mund të tolerohen më. Ato kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendit”, deklaroi ministri i Informacionit, Dorreya Sharaf el-Din për televizionin shtetëror vendas.
Ai shtoi se policia është udhëzuar t’u japë fund këtyre protestave brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues të vendit.
Por pavarësisht thirrjeve të qeverisë, mbështetësit e Morsit kanë thirrur për të martën një protestë masive në Kajro. Javën e kaluar ishte ushtria ajo që thërriti në rrugë e sheshe njerëzit si shenjë proteste për gjeneralin Fattah al-Sisi dhe për t’i dhënë atij “një mandat për të luftuar dhunën dhe terrorizmin potencial që kërcënon vendin”./Indeksonline/