E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia zbulon armatim jugosllav në Shtërpcë

Policia e Kosovës ka konfirmuar konfiskimin e një sasie të madhe armatimi dhe municioni në fshatin Sevçe të komunës së Shtërpcës.

Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Ferizajt gjatë një operacioni të policisë ka gjetur dhe sekuestruar sasi të madhe municioni dhe armëve. Në këtë sasi armatimi përfshihen mitralozë kundërajror me të gjitha pajisjet përcjellëse, minahedhës, po ashtu me të gjitha pajisjet përcjellëse, municion për mitraloz kundërajror si dhe predha për minahedhës.

Armatimi dhe municioni mendohet se janë prodhim jugosllav.

I tërë ky municion i llojeve të ndryshme dhe armët janë gjetur në një objekt të pabanuar.
“Gjatë operacionit ka pasur reagime të banorëve të fshatit, në shenjë pakënaqësie lidhur me zhvillimin e operacionit policor, por situata është menaxhuar mire dhe nuk ka pasur ndonjë incident”, thuhet në deklaraten e policisë së Kosovës.

Operacioni është mbështetur gjatë gjithë kohës nga Njësitë Speciale Operative, Njësia për Mbrojtje nga Eksplozivet dhe Njësia e Krimiteknikës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›