E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policitë kufitare Shkodër-Mali i Zi, patrullim të përbashkët në liqen

>Liqeni i Shkodrës do të patrullohet bashkërisht nga dy policitë kufitare të dy vendeve që lag ky liqen, më i madhi në Ballkan. Ka qenë drejtori i Policisë kufitare të Malit të Zi, Cvetko Vukatanoviç dhe ai i Shqipërisë, Pëllumb Nako, të cilët kanë nënshkruar pikërisht këtë marrëveshje dypalëshe të kontrollit dhe patrullimit dypalësh, në të gjithë bregun dhe liqenin e madh të Shkodrës. Kjo është një marrëveshje tjetër e fortë të veprimit dypalësh mbas ngritjes së doganës së Muriqanit, e cila do të jetë e para në rajon që vepron me personel të përbashkët kur të përfundojë së shpejti. Do të jemi vazhdimisht në kontakt të mirë me palën shqiptare për të përmirësuar punën dhe shërbimin në të gjithë pikat kufitare të përbashkëta, ka deklaruar përfaqësuesi i policisë kufitare malazeze, Vukatanoviç. Dje, në mënyrë institucionale është zhvilluar takimi midis policive kufitare dhe aty Pëllumb Nako si Drejtor i Policisë Kufitare të Shqipërisë ka bërë të ditur se këto takime do të zgjerohen në nivel qendror dhe të koordinohet puna midis dy vendeve për uljen e kontrabandës në të gjitha pikat kufitare midis dy vendeve. Në këlë linjë ka qenë dakord edhe pala malazeze, përfaqësuesi i së cilës  ka vlerësuar se nga patrullimi i përbashkët priten rezultate të shpejta. Ai ka falenderuar për mikpritjen e bërë dhe ju ka uruar patrullave suksese të vazhdueshme. Ndërsa drejtori Pëllumb Nako ka sqaruar gjithashtu se patrullimi i përbashkët është një nga komponentët në bashkëpunimin shumë të gjerë midis dy policive kufitare. Në pritjen e zhvilluar ditën e djeshme ka marrë pjesë edhe prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, i cili iu ka uruar punë të mbarë patrullave dhe kreu i Bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka. Më pas të dy policitë kanë demonstruar mënyrat dhe mjetet e tyre të patrullimit, të cilat dukeshin se ishin bashkëkohore. Por një nga problemet jo të qarta që u sqarua pjesërisht ka qenë edhe vonesa e mospërdorimit të të dy pikave kufitare liqenore si ajo Shkodër -Vir Pazar. Kjo është parashtruar nga përfaqësuesit malazezë dhe pikërisht nga Vukatanoviç, sipas të cilit, kjo pikë do të funksiononte në bazë të vendimeve dhe marrëveshjeve dypalëshe qeveritare dhe deri sa kjo gjë nuk është ende, atëherë dhe këto dy pika nuk mund të funksionojnë. Ne do të vepronim menjëherë, por nuk jemi në marrëveshje midis institucioneve ministrore dhe ky do të ishte hapi që do të bënte normale dhe pikat kufitare prej kohësh të ndërtuara Shkodër-Vir Pazar, është shprehur Vukatanoviç. Këto pika kufitare janë të vetmet liqenore kaq të mëdha dhe lidhin një sasi të madhe njerëzish në të dy anët e kufirit. Nuk u sqarua në takim, se pse këto dy pika kaq të rëndësishme si lidhjeje, por sidomos turistike nëpërmjet liqenit, nuk janë përfshirë në marrëveshjet qeveritare dhe pikërisht këtu ka mbetur edhe dyshimi se nga cila palë janë paraqitur rezerva, sepse pikat janë prej kohe të ndërtuara dhe nga ana e funksionit në mënyrë të çuditshme nuk mund të jetë efektive. Asnjë përfaqësues qeveritar si qendror dhe vendor nuk ka mundur ti japë përgjigje këtij problemi dhe përsëri dhe mbas deklaratave të policisë kufitare malazeze, pika e kalimit liqenor mbeti edhe mbas patrullimit të përbashkët jashtë funksioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›