Poliklinikat, 7 shërbime të reja për të moshuarit
Shtatë shërbime shëndetësore të reja të paafruara deri më tani do t’i përfitojë vetëm mosha e tretë në të gjitha poliklinikat e vendit. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, dje në poliklinikën nr. 8 të kryeqytetit ka prezantuar shërbimet e reja, ndërsa ka theksuar se ato kanë të bëjnë veçanërisht me reduktimin e ndërlikimeve të gjendjeve akute si dhe t’u sigurojë shërbim të plotë pacientëve me sëmundje kronike.
Nisma
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, për prezantimin e kësaj pakete zgjodhi qendrën shëndetësore nr. 8 në Tiranë, pikërisht ditën e djeshme, Ditën Botërore të të Moshuarve.
Sipas ministrit, qëllimi i këtyre shërbimeve është reduktimi i ndërlikimeve të gjendjeve akute si dhe sigurimi i shërbimeve të plota pacientëve me sëmundje kronike, prandaj edhe paketa e shërbimeve shëndetësore për moshën e tretë përfshin kujdesin parandalues dhe edukimin e pacientëve apo familjes në monitorimin e lëvizshmërisë dhe aktivitetin fizik, monitorimin e pamjes dhe dëgjimit, të kapacitetit funksional mendor dhe këshillimin e aktiviteteve të stimulimit mendor.
“Ky dokument është fillesa e një reflektimi të madh, që nuk mbaron”, - tha ministri i Shëndetësisë, sipas të cilit: “Për herë të parë kemi në programin e një qeverie përfshirjen e dukshme të spikatur të problemeve të moshës së tretë, ku për ç’na takon si shëndetësi, kemi problem madhor problemin e shëndetit”.
Gjithashtu, në këtë paketë përfshihet monitorimi periodik i gjendjes së të ushqyerit, si dhe këshillim për ushqyerjen e shëndetshme, këshillim për masa parandaluese për sëmundjet ishemike të zemrës dhe ato cerebrale, për ushtrime fizike dhe marrje të kalciumit dhe vitaminë D për të parandaluar pasojat e osteoporozës, si dhe monitorim dhe edukim periodik të moshuarve dhe familjarëve të tyre për dhunën apo abuzimin ndaj të moshuarve.
“Këto elemente të monitorimit, pra të ndjekjes të sëmurëve, tashmë janë pjesë dhe të paketës bazë të shërbimeve që ofrohet në shërbimin parësor”, - tha ai, duke premtuar se jemi në fillesat e një pune që ka shënuar hapat e saj të para, por me vite do të ecim drejt konsolidimit dhe integrimit të shërbimeve akoma më të specializuara në të gjitha qendrat tona për këtë kategori.
Shërbimet:
1. Monitorimi i lëvizshmërisë dhe aktivitetit fizik
2. Monitorimi i pamjes dhe dëgjimit
3. Monitorimi i kapacitetit funksional mendor dhe këshillimi i aktiviteteve të stimulimit mendor (parandalimi i demencës)
4. Monitorim periodik i gjendjes së ushqyerjes si dhe këshillimi për ushqyerje të shëndetshme
5. Këshillim për masa parandaluese për sëmundjet ishemike të zemrës dhe ato cerebrale
6. Këshillim për ushtrime fizike dhe marrje të kalciumit dhe vitaminës D për të parandaluar pasojat e osteoporozës
7. Monitorimi dhe edukimi periodik i të moshuarve dhe familjarëve të tyre mbi dhunën apo abuzimin ndaj të moshuarve
Vasili
Brenda muajit vendoset sistemi i ri i referencës
Themelet e një sistemi shëndetësor fillojnë pikërisht tek mjeku i familjes. Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, i cili dje nga një poliklinikë e kryeqytetit ka përsëritur urdhrin për mospranimin e asnjë pacienti nëpër spitale pa rekomandimin e mjekut të familjes. Për këtë është dhënë urdhër që të gjitha spitalet e vendit do t’i kthejnë pacientët që janë pa rekomandimin përkatës. Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë pritet të mbërrijë së shpejti në poliklinika dhe spitale që i detyron ata të respektojnë sistemin e referimit.
Për një shërbim më të specializuar pacienti mund të paraqitet në spital vetëm me rekomandim ose kundrejt pagesës me faturë, pa futur në përdorim librezën shëndetësore.