E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, 30 mijë prostituta shqiptare nëpër Evropë



Një studim i realizuar kohët e fundit jep shifra alarmante për numrin e femrave të trafikuara nga Shqipëria trotuareve të Evropës. Bëhet fjalë për 30 mijë prostituta shqiptare, nga të cilat 60% kanë ikur në moshë të mitur, ende fëmijë. Mënyrat e mashtrimit kanë qenë të ndryshme, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme rezulton të jenë rrëmbyer. Fenomeni i dhimbshëm i trafikimit, shfaqur dukshëm pas viteve ‘90, detyroi, sipas kërkimeve, pjesën më të madhe të shtresave shqiptare që vajzat mbi 14 vjeç të mos i dërgonin më në shkollë, nga frika e trafikimit. “Trafikimi i njerëzve është një krim i tmerrshëm. Është abuzim i të drejtave të njeriut dhe shfrytëzim i më të dobëtit, përfshi këtu edhe fëmijët”. Kjo deklaratë është bërë dje nga ambasadorja britanike në Shqipëri, Fiona Mcllwham, gjatë shfaqjes së filmit të animuar për fëmijë kundër trafikimit, “Dy vajza”, i shfaqur në kuadrin e Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut që mbahet në Tiranë. Ky film ndërgjegjëson fëmijët mbi rreziqet e rënies viktimë e trafikimit dhe është prodhuar me mbështetjen e organizatës britanike, “Womankind”. Ai bazohet në eksperiencën reale të disa grave shqiptare të strehuara në një qendër për gratë e trafikuara, në Londër. Qëllimi i filmit “Dy vajza” është të arrijë tek fëmijët ende në shkollën fillore. Filmi jep mesazhe serioze në një format të animuar që është i kuptueshëm dhe tërheqës për fëmijët. Gjatë fjalës së saj në ambientet e Akademisë së Filmit “Marubi”, e cila mundësoi shfaqjen e këtij filmi të shkurtër, ambasadorja u shpreh se “ky projekt është një shembull shumë i mirë se si shoqëria civile mund të angazhohet dhe të ndihmojë për të sjellë ndryshim”. Sipas ambasadores britanike, qeveria e mëparshme ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të luftuar këtë fenomen, por ka nënvizuar faktin që ende nuk mund të konsiderohet një situatë e përfunduar. “Trafiku i grave dhe fëmijëve vazhdon të mbetet një problem për Shqipërinë. Qeveria e mëparshme bëri përpjekje serioze kudër këtij fenomeni, janë hedhur hapa të rëndësishëm, por ende nuk është një situatë e përfunduar. Sikur edhe një fëmijë apo një grua e vetme e trafikuar të evidentohet, kjo është shumë”, - deklaroi ambasadorja britanike. Më tej, ambasadorja Mcllwham theksoi se Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për të punuar me autoritetet shqiptare për të luftuar të gjitha format e krimit të organizuar. Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar të ndihmojë në luftën kundër çdo lloji trafikimi të njerëzve në këtë rajon dhe në botë.

Studimi

Faktet e bëra publike për trafikimin në këtë takim ishin mjaft alarmante. Sipas një studimi të bërë, besohet se janë rreth 30 mijë prostituta shqiptare në vendet e tjera të Evropës, ndërkohë që edhe më alarmante janë shifrat që flasin për fëmijët e trafikuar. Nga kërkimet e realizuara rezulton se të paktën 60% e shqiptareve të trafikuara për prostitucion janë në moshë të mitur, ende fëmijë. Të dhënat flasin se më shumë se gjysma e tyre janë mashtruar dhe më shumë se një e treta janë rrëmbyer. Por edhe më shqetësuese ishin disa fakte të tjera të grumbulluara në studim, sipas të cilit, deri në 90% e vajzave mbi moshën 14 nuk ndjekin më shkollën në disa zona rurale dhe një nga shkaqet e konsiderueshme është frika nga trafikimi. Ky eveniment është organizuar nga “Womankind”, UNICEF dhe Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›