Tiranë; E përzë familja, strehohet te Qendra e Femrave të Trafikuara
Një 19-vjeçare është përzënë përgjithmonë nga familja e saj, pasi për dy javë u largua nga familja pa thënë se ku ishte. Nëna e saj, një 41-vjeçare denoncoi në polici dy javë më parë zhdukjen e vajzës së saj 19 vjeçe, por kur mësoi se ajo ishte larguar me dëshirën e saj, nuk e pranoi më në shtëpi. Policia, e gjendur përballë një situate të tillë, e ka dërguar adoleshenten në Qendrën Kombëtare të Qenieve të Trafikuara në Linzë të Tiranës. Dy javë më parë A.M., 41 vjeçe, banuese në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë, e shqetësuar për vonesën e tepruar të vajzës së saj A.S., 19 vjeçe, nisi ta kërkojë tek të gjitha shoqet dhe të afërmit, por pa mundur ta gjejë. Kështu, pasi priti një ditë dhe vajza nuk u kthye, gruaja iu drejtua për ndihmë policisë së Tiranës. Kjo e fundit nisi menjëherë hetimet për gjetjen e vajzës, gjë e cila u bë e mundur dy ditë më parë. Në prani të prindërve të saj dhe policisë, adoleshentja deklaroi se ishte larguar me dëshirën e saj nga banesa, ndërsa nuk kishte preferuar të lajmëronte familjen për adresën. Me të dëgjuar dëshminë e vajzës, prindërit kanë vendosur të mos e pranojnë në banesë, duke i mbyllur njëherë e përgjithmonë derën e shtëpisë. Duke iu cenuar nderi i familjes, por edhe për shkaqe të tjera, prindërit kanë vendosur të mos e pranojnë më si vajzën e tyre 19-vjeçaren, e cila i ka kërkuar policisë një strehëz ku të qëndronte. E gjendur përballë këtyre rrethanave, policia ka kontaktuar me Qendrën Kombëtare të Qenieve të Trafikuara në Linzë për të strehuar të renë. Vajza aktualisht ndodhet në këtë qendër, ndërsa ende nuk dihet nëse do të kthehet më në banesën e saj.