Poliklinikat, shërbimet që përfiton çdo pacient
Paketa e veçantë, 7 shërbime vetëm për të moshuarit. Vendimi në parësor, shërbim urgjence dhe analiza laboratorike
Çdo poliklinikë e vendit duhet të ofrojë jo pak, por rreth 42 shërbime shëndetësore për pacientët që i drejtohen parësorit, në të cilën përfshihet edhe shërbimi i urgjencës dhe katër lloje analizash laboratorike. Përmes një vendimi të marrë nga Instituti i Sigurimeve dhe kujdesit shëndetësor mjekët e familjes janë të detyruar t’u japin shërbime shëndetësore një sërë kategorive, si të rriturve, të moshuarve, fëmijëve, grave shtatzëna, madje edhe këshilla për planifikim familjar.
Shërbimet
Tanimë “detyrat” e mjekut të familjes duket se janë zgjeruar, të paktën në letër këta të fundit janë të detyruar të kryejnë një gamë të gjerë shërbimesh shëndetësore. Një vendim i ISKSH-së u kërkon poliklinikave dhënien e shërbimeve të specializuara, duke përfshirë këtu që nga vizitat rutinë e deri tek diagnostifikimi i të sëmurëve kronikë, infeksionet seksualisht të transmetueshme, monitorimin e zhvillimit të fëmijëve, stabilizimin e problemeve të urgjencës. Kështu në kujdesin për të rriturit, mjekët e poliklinikave duhet të japin diagnozat kryesore dhe mjekimin e sëmundjeve si hipertensioni, dhimbjet e gjoksit, angina/sëmundja e ishemisë së zemrës, insuficiencë kardiake, diabeti, infeksioni i aparatit urinar, anemia, astma, dhimbjet akute të mesit, depresioni, ankthi, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes tek të rriturit, problemet e lëkurës, problemet e prostatit, dhimbjet e kokës, artriti ose dhimbjet e kyçeve. Ndërsa në kujdesin pediatrik mjekët duhet të trajtojnë infeksionet akute të bajameve, bronkitet, infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, infeksionet e veshit të mesëm, heqjen e barkut dhe të vjellat, konvulsionet nga temperatura e larta, temperatura e lartë, infeksionet e rrugëve urinare, problemet e të ushqyerit si dhe problemet e lëkurës. Gjithashtu në kujdesin për fëmijët duhet që mjekët të monitorojnë rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, imunizimin. Për herë të parë është në poliklinika është futur edhe një paketë me shërbime që ndihmojnë shëndetin e gruas dhe që kanë të bëjnë kryesisht me planifikimin familjar. Kështu mjekët e familjes do të trajtojnë sëmundjet/infeksionet, seksualisht, të transmetueshme, vizita e gjirit, analiza e qafës së mitrës, menopauza, shtatzënia normale, diagnostikimi klinik dhe mjekimi gjatë shtatzënisë, kujdesi pas lindjes, shërbimet parandaluese. Ndërsa në shërbimet e urgjencës poliklinikat duhet të japin ndihmë për ataket e astmës, dhimbjet e gjoksit, frakturat, kujdesi për gërvishtjet/plagët. Kurse laboratori do të kryejë vetëm analizën e urinës, analizën e sheqerit në gjak, analizën e barrës, si dhe analizën e sekrecioneve vaginale për gjetjen e infeksionit.
Mosha e tretë
Për këtë kategori vetëm para pak muajsh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka inaguruar futjen e një pakete të veçantë shërbimesh vetëm për moshën e tretë, me qëllim reduktimin e ndërlikimeve të gjendjeve akute, si dhe sigurimin e shërbimit të plotë pacientëve me sëmundje kronike.
Shërbimet për moshën e tretë
1. Monitorimi i lëvizshmërisë dhe aktivitetit fizik.
2. Monitorimi i pamjes dhe dëgjimit.
3. Monitorimi i kapacitetit funksional mendor dhe këshillimi i aktiviteteve të stimulimit mendor (parandalimi i demencës).
4. Monitorim periodik i gjendjes së ushqyerjes si dhe këshillimi për ushqyerje të shëndetshme.
5. Këshillim për masa parandaluese për sëmundjet ishemike të zemrës dhe ato cerebrale.
6. Këshillim për ushtrime fizike dhe marrje të kalciumit dhe vitaminës D për të parandaluar pasojat e osteoporozës.
7. Monitorimi dhe edukimi periodik i të moshuarve dhe familjarëve të tyre mbi dhunën apo abuzimin ndaj të moshuarve.
Kujdesi për të rriturit
Diagnozat kryesore dhe mjekimi i sëmundjeve
• Hipertensioni.
• Dhimbjet e gjoksit.
• Angina/sëmundja e ishemisë së zemrës.
• Insuficiencë kardiake.
• Diabeti.
• Infeksioni i aparatit urinar.
• Anemia.
• Astma.
• Dhimbjet akute të mesit.
• Depresioni.
• Ankthi.
• Infeksione të rrugëve të frymëmarrjes te të rriturit.
• Problemet e lëkurës.
• Problemet e prostatit.
• Dhimbjet e kokës.
• Artriti ose dhimbjet e kyçeve.
Kujdesi pediatrik
Diagnozat kryesore dhe mjekimi i sëmundjeve:
• Infeksioni akut i bajameve.
• Bronkiti.
• Infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes.
• Infeksioni i veshit të mesëm.
• Heqja e barkut dhe të vjellat.
• Konvulsionet nga temperatura e larta.
• Temperatura e lartë.
• Infeksionet e rrugëve urinare.
• Problemet e të ushqyerit.
• Problemet e lëkurës.
Kujdesi për fëmijën
Monitorimi i rritjes dhe zhvillimit të fëmijës.
Imunizimi.
Shëndeti i gruas dhe kujdesi shëndetësor riprodhues.
Planifikimi familjar
• Sëmundjet/infeksionet, seksualisht, të transmetueshme.
• Vizita e gjirit.
• Analiza e qafës së mitrës.
• Menopauza.
• Shtatzënia normale.
• Diagnostikimi klinik dhe mjekimi gjatë shtatzënisë.
• Kujdesi pas lindjes.
• Shërbimet parandaluese.
Kujdesi për rastet urgjente
Menaxhimi fillestar dhe stabilizimi i problemeve urgjente:
• Ataket e astmës.
• Dhimbjet e gjoksit.
• Frakturat.
• Kujdesi për gërvishtjet/plagët.
Laboratori
Shërbime minilaboratorike (që mund të ofrohen pa nevojë për personel laborant) përfshijnë:
• Analizën e urinës.
• Analizën e sheqerit në gjak.
• Analizën e barrës.
• Analizën e sekrecioneve vaginale për gjetjen e infeksionit.