Problemi i administratës lokale, përdorimi politik
Ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të kërkesave ultimative të eksponentëve të PS-së për prekjen gjoja të autonomisë së pushtetit vendor në administrimin fiskal dhe zvogëlimin e burimeve të tyre financiare. Si reagim ndaj këtyre masave përfaqësuesit e PS-së në pushtetin vendor ata kanë kërcënuar se do të aplikojnë mosbindjen civile. Në fakt, kemi të bëjmë me përdorim politik të një pjesë të qeverisjeve vendore në përputhje me axhendën politike të Partisë Socialiste dhe të kryetarit të saj.
Drejtuesve socialistë duhet t’u kujtojmë që në vitin 2008 bashkërisht hartuam ligjin për reformën fiskale në të cilin ndaheshin taksat kombëtare nga ato vendore dhe përcaktoheshin nivelet e tyre. Për fat të keq, në momentin e fundit, për arsye që i di vetëm Edi Rama, e majta u tërhoq nga ky projekt i përbashkët dhe nuk dha konsensusin për miratimin e ligjit në parlament.
Në kërkesat e saj, opozita pretendon që qeveria në mënyrë arbitrare ka ulur nivelin e kualifikimit të biznesit të vogël nga 8 milionë lekë xhiro në 5 milionë lekë. Ekspertët e opozitës duhet të dinë që kjo kompetencë është e drejtë ekskluzive e qeverisë qendrore dhe nuk ka të bëjë me autonominë lokale.
Mjafton t’ju kujtojme që në Itali p.sh. nuk ka ndarje të tilla, të gjitha bizneset pavarësisht madhësisë së tyre paguajnë TVSH dhe askush nuk e akuzon qeverinë italiane se ka shkatërruar autonominë vendore apo është qeveri antidemokratike. Ndarjen që po zbatojmë sot e gjen në të gjitha vendet e rajonit dhe nuk e ka kundërshtuar biznesi por vetëm politikanët e majtë.
Drejtuesit socialistë në pushtetin vendor kanë hedhur akuza që atyre po ju pakësohen fondet nga buxheti qendror dhe se ato po ndahen mbi baza politike. Në të vërtetë nuk ka ndodhur pakësim i fondeve, por rritja e tyre me disa herë në krahasim me vitin 2005.
Nëse në vitin 2005 transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor ishte 7 miliardë lekë, në vitin 2009 u ndanë për këtë qëllim 14.5 miliardë lekë. Nëse në vitin 2005 u shpërndanë në formën e granteve konkurruese 0.5 miliard lekë, në vitin 2009 u shpërndanë 6 miliardë lekë. Vitin e ardhshëm do të shpërndahen 7.4 miliardë lekë.
Le t’iu referohemi fakteve se si janë trajtuar me fonde nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar për investime dhe grante konkurruese 5 bashkitë e mëdha të vendit, të cilat në të shumtën e kohës janë qeverisur nga socialistët.
Bashkitë e Durrësit, Elbasanit, Korçës, Tiranës, Vlorës dhe Fierit në vitin 2005 kanë marrë investime nga buxheti i shtetit, kur në qeverisjen qendrore ishte Partia Socialiste, 368 milionë lekë gjithsej. Këto bashki në vitin 2006 kanë marrë investime nga pushteti qendror i Partisë Demokratike 1184 milionë lekë, në vitin 2007 kanë marrë 1396 milionë lekë, në vitin 2008 kanë marrë 980 milionë lekë dhe në vitin 2009 kanë marrë 1104 milionë lekë. Mesatarisht kanë marrë çdo vit të gjitha së bashku 1166 milionë lekë ose 3.2 herë më shumë fonde se sa në kohën kur pushteti qendror drejtohej nga socialistët.
Si janë ndarë fondet p.sh. për bashkitë e Korçës dhe Elbasanit gjatë periudhave kur pushteti qendror dhe vendor janë alternuar midis socialistëve dhe demokratëve. Në vitin 2005 kur Bashkia e Korçës drejtohej nga demokratët dhe qeverisja qendrore nga socialistët, ajo mori vetëm 64 milionë lekë investime nga buxheti qendror. Në vitet 2007, 2008 dhe 2009 kur Bashkia e Korçës drejtohet nga socialistët dhe pushteti qendror nga demokratët, ajo ka marrë grant të pakushtëzuar dhe investime nga grantet konkurruese 124 milionë, 131 milionë dhe 110 milionë lekë. Pra dyfishin e fondeve që merrte në krahasim me periudhën kur në pushtetin qendror ishin socialistët.
Kryetari i Bashkisë së Korçës duhet të lërë sentimentet partiake dhe të ketë kurajën t’i thotë kryetarit të PS-së që në kohën e qeverisë së Berishës i janë asfaltuar tërë rrugët e brendshme të Korçës, u ndërtua unaza e saj si dhe i është rikonstruktuar pjesa dërrmuese e sistemit arsimor dhe shëndetësor.
Bashkia e Elbasanit në vitin 2005 kur drejtohej nga demokratët dhe pushteti qendror ishte i socialistëve mori vetëm 42 milionë lekë investime. Në vitet 2007, 2008 dhe 2009 kur Elbasani drejtohet nga socialistët dhe në pushtetin qendror janë demokratët i janë dhënë respektivisht 147 milionë lekëe, 102 milionë lekë dhe 109 milionë lekë, ose 2.8 herë më shumë fonde se në kohën kur drejtonin të majtët.
Problem i vërtete me njësitë e pushtetit vendor nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e kapaciteteve të administratës fiskale lokale për të mbledhur taksat. Nëse do të vëresh shifrat ndër vite, konstaton me lehtësi që administrata lokale në rastin më të mirë nuk ka mbledhur në asnjë vit më shumë se 70% të fondeve të planifikuara nga tatimi mbi pasurinë, tatimi mbi biznesin e vogël apo taksa dhe tarifa të tjera.
Pra realiteti është krejt ndryshe nga sa pretendojnë përfaqësuesit e majtë në pushtetin vendor. Në të vërtetë, kur e majta drejtonte vendin, njësitë e pushtetit vendor janë trajtuar sipas ngjyrës së pushtetit politik.
Protestat që po organizohen me punonjësit e njësive të pushtetit vendor që drejtohen nga përfaqësues të së majtës, dhe ultimatumet që lëshohen, në të vërtetë nuk kanë të bëjnë me mungesën e fondeve gjatë qeverisjes së demokratëve apo hapat prapa në decentralizim dhe autonominë lokale, por me përdorim politik të këtyre drejtuesve për ambiciet personale të kryetarit të Bashkisë të Tiranës.