E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliklinikat vuajnë mungesën e aparaturave mjekësore

23/03/2009  Studimi i kryer, pacientëve u kthehet besimi te mjeku i familjes

Reforma që po aplikohet në shërbimin parësor (ambulanca e poliklinika) ka rezultuar të jetë efikase, por nga ana tjetër ka nxjerrë në pah dhe problemet me të cilat përballen pacientët e stafi mjekësor. Një ndër më shqetësueset paraqitet mungesa e aparaturave për diagnostikimin e sëmundjeve. Në 6-mujorin e dytë të 2008-s u realizua një studim nga specialistë të ISKSH-së në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Lezhë, si në zonat rurale, ashtu dhe në ato urbane, ku u pyetën 756 qytetarë të kategorive të ndryshme dhe 251 mjekë në lidhje me shërbimet dhe ecurinë e reformës.

Rezultatet

Rezultatet e studimit tregojnë se 73 për qind e personelit mendojnë se barnat e nevojshme për trajtimin e rasteve urgjente janë të pranishme në qendrat shëndetësore, por 59 për qind e tyre mendojnë se qendra nuk i ka ende pajisjet e duhura për ofrimin e paketës së shërbimeve ndaj komunitetit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se pacientët janë të kënaqur me kohën që u kushton mjeku, me vizitën dhe me këshillat e tyre në masën 91 për qind dhe vetëm 9 për qind e përfituesve mendojnë të kundërtën. Këtë e tregon fakti se 91.6 për qind e popullatës nuk dëshiron të ndërrojnë mjekun e familjes. Në lidhje me gatishmërinë e mjekut 86 për qind e popullatës deklaron se e gjejnë gjithmonë mjekun në vendin e punës. Lidhur me kënaqësinë e klientëve ndaj ambienteve të qendrës shëndetësore 63 për qind mendojnë se ato janë të përshtatshme për një shërbim të mirë, ndërsa 36.6 për qind përgjigjen negativisht.

Përmirësimet

Këto gjetje të studimit në përgjithësi përputhen me përfundimet e nxjerra nga specialistët e ISKSH-së, por gjithsesi në lidhje me transparencën e drejtuesve kundrejt stafit në mënyrën e organizimit dhe veçanërisht për financat duhet punuar më shumë në këtë drejtim. “Po ashtu problem ngelen pajisja e QSH-së me aparatura diagnostikimi dhe pajisje shërbimi, përmirësimi i ambienteve të punës së mjekëve dhe infermiereve. Në lidhje me aktivitetin e bordeve del e nevojshme rishikimi i mënyrës së përbërjes dhe i funksionimit të tyre”, - shprehen ekspertët.

Në kontratat e lidhura nga ISKSH-ja me qendrat shëndetësore për 2009-n është përcaktuar që aktiviteti i përditshëm i stafit mjekësor do të raportohet me anë të formularit të vizitës dhe procedurave mjekësore.

Në kontratë është përcaktuar edhe ndërrimi i kategorive për mjekët e familjes, të cilët punojnë si pediatër dhe mund të kalojnë me dëshirën e tyre si mjek familjeje për të gjitha moshat, me qëllim që të lehtësojnë kalimin drejt një kategorie mjekësh familjeje për të gjitha moshat.

Ndryshimi i klasifikimit të mjekut të familjes bëhet kur ai nuk plotëson normën e ngarkesës, apo me kërkesën e mjekut (p.sh kur mjeku pediatër kërkon të vazhdojë të mbajë fëmijët që kalojnë moshën 14 vjeç etj).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›