E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Të vendosur për aleancë me PS-në

23/03/2009  LSI rikonfirmon pozicionin e saj postelektoral

“Objektiv nxjerrjen në pension politik të Berishës më 28 qershor”

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e vendosur për krijimin e një koalicion paszgjedhor me Partinë Socialiste. Gjatë këtyre dy ditëve përfaqësuesit e kësaj partie i kanë mëshuar me forcë këtë qëndrim, duke e argumentuar këtë me faktin se qëllimi i LSI-së është pikërisht fitorja e së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Një fakt i tillë u bë dje publik nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili. “Qëndrimi i LSI-së është në koherencë të plotë me të gjithë objektivat dhe veprimet e saj politike. LSI-ja ka pasur objektiv të pandryshuar të saj fitoren e së majtës dhe progresistëve dhe nxjerrjen në pension politik të Berishës më 28 qershor dhe ka vepruar në funksion të këtij qëllimi”, - u shpreh Vasili gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, LSI-ja ka qenë e bindur në qëndrimin e saj se socialistët dhe progresistët do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme dhe për rrjedhojë, nëse LSI-së do t’i duhet që të bëjë një aleancë politike, natyrshëm do ta bëjë atë me Partinë Socialiste. “Koalicioni fitues i socialistëve dhe progresistëve pas 28 qershorit 2009 do të jetë demonstrim i solidaritetit dhe përgjegjësive të mëdha për zgjidhjen e problemeve të vendit dhe aspiratave të mijëra qytetarëve në luftë me varfërinë, sigurimin e një vendi pune dhe të drejtësisë sociale”, - vuri në dukje Vasili gjatë fjalës së tij lidhur me këtë çështje. Gjithashtu, referuar situatës së rënduar në vend për shkak të reshjeve të dendura të rëna gjatë këtyre ditëve, Vasili kërkoi ndërhyrjen e shpejtë të qeverisë për t’u ardhur në ndihmë familjeve të shumta të dëmtuara nga situata e rëndë. “Qeveria dhe pushteti vendor duhet të bashkëpunojnë intensivisht dhe pa asnjë paragjykim politik, duke pasur prioritet të vetëm që t’u vijnë sa më parë në ndihmë mijëra qytetarëve të prekur nga pasojat”, - u shpreh Vasili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›