LRI: "Shqipëria po ndryshon për keq"
Dhjetëra të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim, protestuan dje para ambienteve të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, në mbështetje të studentëve të këtyre fakulteteve, kundër pezullimit të procesit të rregullt mësimor në këtë godinë të shkatërruar. Të rinjtë e LRI-së duke mbajtur pankarta nëpër duar, në sloganin "Shqipëria po ndryshon për keq", i bënë apel Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si dy shkaktarët e pezullimit të procesit akademik për mijëra studentë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, si dhe të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e një godine të re, ku të filloj procesi mësimor pa ndërprerje. "Deri në 2005 kemi pasur të paktën godina që rrinin në këmbë, sot në fund të vitit 2008 kemi fakultete, të cilat po rrënohen sepse Berisha në bashkëpunim me Ramën jo vetëm që nuk po investojnë asnjë lekë në sistemin universitar, por përkundrazi janë duke shkatërruar ato pak vlera që kanë mbetur në Universitetin e Tiranës, dhe universitetet e tjera", u shprehën përfaqësuesit e LRI-së.