E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika bën politikë edhe me fëmijët!

 Në Tiranë u zhvilluan sot aktivitete të shumta nga institucione të ndryshme, ndërsa festës iu bashkuan edhe krerët më të lartë të shtetit.

Kryeministri Sali Berisha, së bashku edhe me shumë fëmijë, prindër e mësues, ndoqën nga afër veprimtaritë e organizuara në shumë sheshe kryesore, duke nisur nga Pedonalja e Tiranës dhe përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

“Uroj prindërit që të lumturohen duke jetuar në Shqipërinë që do të ndërtojnë fëmijët e tyre. Ishte një ditë në të cilën unë pashë fëmijën më të bukur, më të gëzuar, më të qeshur se kurrë në jetën time. Vështroni në sytë e tyre, aty lexohet një gëzim që gufon nga shpirti, lexohet një pastërti idilike, lexohet një dashuri e pastër, lexohet e ardhmja e tyre e ndritur që ata meritojnë”, tha Kryeministri.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përveç se iu bashkua kësaj feste, gjeti rastin për të bërë edhe premtime për fëmijët, duke premtuar minimizimin e atyre që nuk shkojnë në shkollë. “Dëshiroj që t’i uroj Gëzuar 1 qershorin të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Njëkohësisht t’u them të gjithë prindërve se ne jemi shumë të angazhuar që të bëjmë gjithçka është e mundur dhe më të mirën do të bëjmë që çdo 1 qershor që vjen të ketë gjithmonë e më pak fëmijë të varfër; Të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë për shkak se prindërit varfëria i pengon t’ju blejë librat; Të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që mbeten analfabetë; Të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që të ardhmen e tyre nuk e kanë të sigurt në vendlindjen e tyre”, tha Rama.

Fëmijët i përshëndeti edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke nënvizuar se qeveria kishte kontribuar për ta bërë jetën e tyre më të lumtur. “Gëzimi juaj është motivi i jetës së prindërve tuaj dhe i shoqërisë sonë. Unë jam e bindur se po t’i bëjmë fëmijët të lumtur ne  kemi kontribuuar për të bërë një shoqëri më të mirë. Falënderoj  mësuesit dhe prindërit tuaj për këto fëmijë të mrekullueshëm që ju jeni dhe me zemër ju uroj shumë dashuri dhe sukseset më të mira në familje, në jetë dhe kudo” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Edhe Presidenti i Republikës organizoi një pritje për fëmijët. Në respekt të Festës së sotme të Fëmijëve si dhe të Ditës Kombëtarë të Jetimëve Shqiptarë, njëra prej nxënësve shembullore, Eni Zylyftari, përshëndeti në emër të të gjithë fëmijëve jetimë, duke bërë njëkohësisht apel për më shumë përkujdesje edhe nga Parlamenti Evropian për jetimët në Shqipëri e në Kosovë.  “Unë dëshiroj t’i përshëndes të gjithë, të gjithë fëmijët në Shqipëri dhe kudo ku ka shqiptarë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë jugore, në diasporë në përgjithësi! I përshëndes ata dhe apeli im është që të studiojnë sa më shumë, të mësojnë sa më shumë! Të jenë të edukuar, sepse kështu do t’i shërbejnë më shumë të ardhmes sonë të përbashkët!”, tha kreu i Shtetit. /Xh.Q/Start/

                                                                                             2012-06-01 17:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›