E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD: “Berisha të ndalë shantazhin ndaj medias së lirë”



Deputetja e Partisë Social-Demokrate, Diana Çuli, deklaroi dje se me veprimet e kohëve të fundit, qeveria aktuale dëshmoi edhe njëherë qëndrimin e saj të patundur për të përdorur shantazh ndaj fjalës së lirë. Çuli denoncoi veprimet e KKRT-së për të goditur Televizionet “Vizion Plus” dhe “News 24”. “Edhe një herë tjetër qeveria aktuale dëshmoi për qëndrimin e saj të patundur për të përdorur shantazhin ndaj fjalës së lirë. Meqenëse sundimin e ligjit nuk e koncepton ndryshe përveçse me gjoba e burgime, ajo i vë gjoba medias pse nuk i shërben asaj dhe kryetarit të saj.
Dhe tani KKRT-ja i bindet dhe godet News 24-n dhe paralajmëron Vizion Plusin, media të cilat gjatë gjithë viteve të tranzicionit kanë fituar reputacion për objektivitet, paanshmëri dhe informacion të pasur ndaj publikut, por sipas konceptit të një kohe të tejkaluar e të tejshkuar kjo qeverisje mendon se njerëzit mund të heshtin po i trembe me gjoba e me shantazhe, pandeh se mund t’i shndërrojë mediat e sotme në stacione bardhë e zi, ku në ekrane të buzëqeshin të lumtur dhe të rrethuar me lëvdata servile vetëm udhëheqësit e shtetit; pra harron dhe nuk kupton se në demokraci nuk ka udhëheqës, po drejtues të përkohshëm; se në demokraci edhe po ta mbyllësh një media, do të hapet një tjetër; se po u shua një parti, do të dale një tjetër”, - deklaroi Çuli.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›