E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Presidenti nga PD-ja? Pse jo, nëse gëzon mbështetje

TIRANE-Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk kundërshton zgje-dhjen e një presidenti nga radhët e PD-së nëse emri gëzon një mbështetje të gjerë përtej 71 votave në Kuvend. Mbrëmë, në emisionin “Debat” të gazetarit, Alfred Peza, në “Vizion Plus”, Topi foli për procesin e negociatave duke i mirëpritur ato, por duke këshilluar palët që t’i bëjnë transparente dhe jo nëpër kafene të ndryshme të Tiranës.
Z.Topi, mandati juaj po afron, por a po e ushtroni detyrën presidenciale pavarësisht se po mbaron…?
Edhe sot kam firmosur dekrete dhe ligje. Sa kohë funksionon institucioni, jam bashkudhëtar i një mandati. I çliruar totalisht nga paragjykimet dhe pozicionet që mbajnë të tjerët, jam i vendosur deri në fund që t’i përmbahem detyrës sime. Deri javën e parë të korrikut kam një axhendë imperative timen.
Partitë politike nuk i kanë përfunduar reformat pavarësisht apelit të BE, si e konsideroni këtë?
Nuk është normale. Jepen premtime sa kohë janë intelekutorë të ndryshëm dhe kur ikin nuk realizohen. Gjërat zakonisht lihen për momentet e fundit dhe është një sëmundje kronike. Palët mendojnë se si të paraqiten para publikut, duke i lënë gjërat në momentet e fundit. Partitë politike parlamentare kanë një detyrim, sepse po të marrësh parasysh vokacionin e popullit shqiptar, duhet të jenë besnikë të vokacionit të tyre.
Duke qenë se jeni në fund të mandatit tuaj, a ka një fajtor mosrregullimi i reformave?
Në parlament është vendimmarrja.
Ka filluar procesi i partive politike, si ju duken në optikën tuaj, a po ecën mbarë?
Është mëse normale, në rrugë kushtetuese, sipas rregullit kushtetues. Është mbledhur Konferenca e Kryetarëve dhe ka qenë brenda afatit kushtetues. Unë, natyrisht, nuk mund të futem në brendësi të bisedimeve, por besoj të finalizohet me sukses, me zgjedhjen e një presidenti të republikës.
Çfarë presidenti duhet të dalë nga ky proces?
Tashmë është folur shumë, por besoj se mund të jetë një president i PD-së. Unë personalisht do të isha për një president të gjerë, konsensual.
Me mbështetjen e opozitës?
Sigurisht, edhe me mbështetjen e opozitës.
Po shkohet drejt këtij presidenti?
Sapo ka filluar, por unë nuk jam zëdhënësi i këtyre i bisedimeve.
Duhet të jetë politik?
Duhet të jetë politik, por jo detyrimisht. Një njeri që ka një eksperiencë është më mirë, për ta administruar më mirë shtetin. Kjo nuk do të thotë që një president i ardhur nga rrethet akademike nuk do të jetë në gjendje që ta administrojë, por gjithçka varet nga palët, për ta gjetur, një person të cilit t’i kërkohet të ushtrojë detyrën kushtetuese.
Janë përfolur disa emra, si Nano, Ceka, apo Topalli. Kush prej tyre është më pranë presidencës?
Nuk më duket elegante që unë të futen në emra konkretë. Kjo nuk më takon mua. Edhe sikur të isha i lirë për ta bërë një gjë të tillë nuk do të doja të hyja në emra konkretë. Kam respekt për çdo njeri që zhvillon një garë, me frymën dhe me atë çfarë kërkon sot Shqipëria, i cili duhet të jetë mbi palët. Çdo kandidat tjetër është një kthim mbrapa, një mosrespektim i presidentit. Edhe në Kushtetutë, presidenti është në radhë të parë përfaqësues i popullit, pavarësisht se zgjidhet nga Kuvendi. Që do të thotë se presidenti mund të vijë nga partitë politike por të ketë përgatitje intelektuale, por mund të jetë dhe me natyrë subjektive. Megjithatë, jam i prirur të respektoj këdo në garë.
Mungon një takim Berisha-Rama; mendoni se presidenti do të dalë nga këto takime?
Këto pyetje nuk më takojnë mua. Nuk di asgjë nëse do të takohen, si do të takohen dhe çfarë do të thonë. Nuk kam pasur asnjëherë kuriozitetin për të marrë vesh atë që thuhet nëpër lokalet e Tiranës, nuk kam qenë frekuentues i lokaleve por respektues i institucioneve. Këtë pyetje ndoshta e gjeni në njërën nga kafet e Tiranës. Është bërë rituale që gjërat bëhen nëpër kafe, ndërkohë që duhet të bëhen transparente.
Mendoni se një gjë e tillë po zgjidhet në ambiente jo serioze?
Pse, nuk e dini ju këtë? Unë marr informacione edhe nga gazetarët.
Presidenti, duhet të përfshihet në këto bisedime?
Jo, në këtë fazë nuk duhet të përfshihet presidenti. Është çështje ekskluzive e aktorëve politikë. Është një çështje që ka të bëjë me pushtetin politik.
Në VOA jeni deklaruar për një president konsensual. Ju komentuan si njeriun më të papërshtatshëm për të komentuar presidentin konsensual, për shkak të mënyrës se si u zgjodhët...
Mendoj se votimi me 71 vota nuk u përkrah nga unë. Unë jam zgjedhur me Kushtetutën e vjetër, pra me 84 vota. Pra, askush nuk mund të japë një interpretim tjetër. Jam votuar me 85 vota në parlament. Unë nuk u takoj nivelit të atyre që merren me interpretime të pozicionuara subjektivisht për të sulmuar presidentin.
Kur ju u zgjodhët president, Edi Rama tha se Bamir Topit duhet t’i vijë turp. Realisht, juve ju vjen turp?
Njerëzit duhet të shprehen edhe kur mbaron afati kushtetues i presidencës. Unë sigurisht nuk e kam pasur në dorë procesin. Gjërat mund të gjykohen pas përfundimit të presidencës nëse kam respektuar apo jo Kushtetutën. Z.Rama ka qenë ndër të parët që më ka uruar në zyrë kur u zgjodha president. Deklaratën e tij e kam vlerësuar si një deklaratë të nxehtë politike emocionale, në një moment politik, ndërkohë që mund të kishte menduar tjetër gjë.
A ka qenë zgjedhja juaj me 6 votat e deputetëve socialistë një proces korruptiv, apo ka qenë vullnet politik?
Ka qenë një vullnet politik. Z.Nano i jam mirënjohës për koherencën e tij në funksion të vendit.
Do ia ktheni këtë mirënjohje z.Nano tani që synon presidencën?
Mirënjohja është shumë njerëzore dhe besoj është e mjaftueshme.
Është një zgjidhje një president nga populli?
Zgjedhja më e mirë është nga populli, edhe për shkak të polarizimit të politikës. Është më mirë që Presidenti të bëhet interpret i popullit, i interesit të tyre.
Deputetët me të cilët ju hanit dreka nuk u zgjodhën në listën e deputetëve në vitin 2009-të. Si ju duk një gjë e tillë?
Ashtu sikurse ju e keni në nëntekstin e pyetjes suaj.
Po një çmontim i minorancës?
Ata kanë të drejtë të vazhdojnë edhe kur listat përpilohen nga kryetari.
Kur ka filluar ftohja juaj me PD-në?
Kur të shkëputem nga impenjimet e mia ndoshta do të merrem me këto rrethana. Kam pasur impenjime të tjera.
Pse nuk hapen dosjet?
Nuk e di saktësisht, por bëj me faj vendimmarrjen politike. Unë jam për hapjen e dosjeve. Nëse morali dhe programi politik shkon në konvergancë me ligjin, atëherë do të ishte normale. Ende individë kanë arritur të penetrojnë dhe sot të jenë në institucione shumë të rëndësishme.
Deri ku shkojnë ish-sigurimsat në institucionet e rëndësishme?
Nuk i ndaj në njerëz shumë të rëndësishëm dhe jo të rëndësishëm, por sigurisht që sot janë në institucione shumë të rëndësishme. Njerëzit e dinë më mirë se ne dhe ia dinë shumë mirë historitë njëri-tjetrit, pavarësisht se njerëzit mundohen të bëjnë makiazh apo të hiqen sikur nuk janë ata.
Z.Berisha ka deklaruar se ju i keni ndërruar zonat elektorale herë pas here. Është e vërtetë?
Më falni për mungesën e modestisë, por edhe këtë duhet ta thotë? Unë jam deputeti më i votuar dhe nëse ka lëvizje të zonave e përcakton kryesia. Unë kam konkurruar edhe në zona të thella dhe kam fituar. Herën e fundit kam konkurruar në zonën e Don Boskos dhe kam fituar. Kam shpenzuar shumë pak kohë me veten time dhe jam marrë me kolegët e tjerë për t’i ndihmuar. Në vitin ‘94 kam rrezikuar karrierën time në doktoraturë dhe që nga ajo kohë unë jam pjesë e institucioneve.
Çfarë qëndrimi do të mbani për nënkryetarin e ri të KLD-së, pse është bllokuar?
Është bllokuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe nuk është çështje votash. Unë nuk kam e ndryshuar qëndrimin tim.
Ka vakum në emërimin e diplomatëve?
Jo. Ka vetëm një vakum në Mbretërinë e Bashkuar, pasi nuk është bërë propozimi. Ka një rast në Çeki që nuk i është dhënë ‘ok’ nga presidenti, pra nuk është rinovuar dhe është dhe një tjetër rast, ai i Kuvajtit. Duhet të ruhen balancat, kjo është e rëndësishme.
Ka pasur ndonjë moment kur keni menduar dorëheqjen?
Jo, asnjëherë. Të marrësh një pozicion të tillë është nder në funksion të ushtrimit të detyrës kushtetuese, por dhe si detyrim ndaj qytetarëve. Duhet të përballesh me sfida të ndryshme.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›