Politika e jashtme e presidentit Obama dhe kancelaritë europiane
Me ardhjen në detyrë të presidentit të ri amerikan, Barack Obama, në Departamentin e Shtetit: aty ku diplomacia botnore mban sytë si pikë referimi mbi çeshtjet globale, po fryn një ajër i freskët, thuajse pranveror, që në Europë do të ndihet si furtunë nga fundi i janarit. Shkurt, skuadra diplomatike e Obamës për nga konfigurimi është një skuadër që pritet t’u japë një shtytje të re relacioneve ndërkombëtare. Sidomos bashkërendimi i optimizmit të presidentit të ri me besnikërinë e deritanishme europiane do të luajnë një rol kryesor në çaktivizimin ose/dhe aktivizimin e problemeve anekënd globit. Ky ajër i freskët nuk është një ajër ndryshimi total në diplomacinë e SHBA-së, por një ri-freskim i objektivave dhe temave reale të politikës amerikane. Me pak fjalë: skuadra e politikës së jashtme amerikane që presidenti in pectore (në pritje të marrjës së detyrës) Barack Obama prezantoi me datë një dhjetor nuk surprizoi asnjeri. Lajmet e njëpasnjëshme të tele-pilotuara në drejtimin mediatik për këtë apo atë Sekretar të Departamentit të Shtetit Amerikan si për shembull: John Kerry ose Richard Holbrooke, më duket se ishin njëfarë finteje politike që këshilltarët e stafit të Obamës bënin me opinionin publik për t’i hapur shteg Hillary Clinton-it në krye të Departamentit të diplomacisë dhe rikonfirmimit në krye të Pentagonit, të Robert Gates; tashmë me një mision të ri, për një plan tërheqjeje taktike nga Iraku në fund 2011, për t’u zhvendosur diku tjetër. Tanimë çdo ekspert i çeshtjeve world strategy, di se në muajt pranverorë mbi tavolinat e kancelarive europiane do të vijnë kërkësa, urdhra, lutje, me detaje nganjëherë presuese mbi shtimin e trupave (dhe financime) me shpenzue në teatrot afganë apo në zonat e cilësuara si të nxehta. Lideri i ri do t’i përligjë këto thirrje “nën armë”, në kontekstin siç e thamë më lart, të një “multipolarizmi”, ky togfjalësh ka gjasa të jetë ma shumë retorik se sa primar, duke parë e duke ditur se rregullat e lojës do t’i diktoi si gjithmonë: ai, si shefi i fuqisë më të madhe botnore. Diplomacia e presidentit Obama natyrisht do të jetë e ndryshme nga ajo e George W. Bush, por zgjedhja e stafit të qeverisë së tij janë shenjues të qartë të një rikthimi tradicional e bipartisan të politikës së jashtme amerikane. Për ne europianë, brënda edhe ne shqiptarët ose të paktën shpirtërisht, nuk do të thotë që kjo të jetë domosdoshmërisht një lajm dhe një ogur i mirë për të gjithë. Megjithëse marrëdhëniet transatlantike do të jenë më pak të tendosura dhe të piketuara në disa tema që axhenda e tyre parashikon, dhe pikërisht për këtë gjë per ne europianët nuk do jetë e lehtë të manovrojmë të pavarur nga SHBA-ja. Ndërlidhja ekonomike-politike në të gjithë oksidentin është e tillë që s’mund t’i lejosh vetes veprime të nxituara, sepse mund të gjendesh fillikat me problemet e krizës ekonomike. Midis të tjerave, siç thamë më lart, administrata e re do të jetë më kërkuese ndaj kancelarive europiane, testimi i parë për aleatët ka gjasa të jetë angazhimi më i madh për Afganistanin. Presidenti Obama sheh në Afganistanin pararojën e fitimit të luftës ndaj terrorizmit fondamentalist. Parulla e deritanishme e administratës Bush ishte “në çdo vend që ata do të ndodhen, ne do t’i godasim”. Parulla do të ndryshojë, por jo shumë. Simptomat e dukshme gjithnjë e më shume dëftejnë se lufta në Afganistan dhe Irak ka ashpërsuar më tej riorganizimin e celulave integraliste, madje kjo shihet ma së miri në atentatin e sofistikuar të fundit në Mumbai të Indisë, ku terroristë pakistanezë, të kalitur në poligonet e Kashmirit nga instruktorë të devijuar të sigurimit pakistanez, kanë përdorur taktika lufte në zmadhim mediatik të çështjes së sëmurë të tyre. Gjendja është tejet alarmante, sepse mund të ndodhë që këto atentate të jenë shtysë për një “casus belli” d.m.th. çelësa aktivizimi të një lufte midis Indisë dhe Pakistanit. Situata bëhet më e komplikuar duke ditur se të dy shtetet kanë armë bërthamore. Në këtë skakierë aziatike, SHBA-të po luajnë një lojë me sponde bilardoje, ku mbështesin Indinë në publik, që Pakistani të tregojë fytyrën e vet reale. Sepse presidenti i ri Obama nuk është më i gatshëm të shohë dyfytyrësinë dhe ambiguitetin e politikanëve të Islamabadit. Lëvizja e deritanishme amerikane është vetëm mediatike. Kjo kuptohet lehtë duke parë se nga Amerika shkojnë e vijnë lajme në pamje të parë paradoksale, kundërthënëse, në fillim vizita e Sekretares së Shtetit Condoleza Rice në të dy vendet për të qetësuar gjakrat. Mirëpo nga ana tjetër presidenti in pectore Obama në një intervistë iu përgjigj pyetjes: «a ishte e ligjshme, nëse gjendeshin fakte të një implikimi pakistanez në atentatet në Mumbai, që India të ndërmerrte një reaksion luftarak ndaj Islamabadit»?, me frazën: «vendet sovrane, natyrisht, kanë të drejtë të mbrojnë qytetarët e tyre». Pra, mund të përkufizohet me gjuhën sportive: mbrojtja ma e mirë është sulmi. Në Pakistan fjalë të tilla u interpretuan si «kërcenuese» për sigurinë e tyre, dhe mohuan çdo lidhje me atentatet, madje deklaruan se do të zhvillojnë kërkime mbi identitetin dhe miqësitë e atentatorve. Efekti i një lufte do të ishte dramatik për Azinë dhe afërmendsh për ekonominë botnore. Ngadalë, këtyre fjalëve të presidentit Obama mund t’i behet një lloj interpretimi tjetër diçka ma logjik, pra, duke ditur se intesifikimi i luftës ma i madh në Afganistan është gjatë pranverës, atëherë ai dëshiron t’u heqë furnizimet talebanëve që vijnë nga kufiri pakistanez, kundrejt një negocimi tjetër paqeje midis Indisë dhe Pakistanit. Gjithçka që do të lëvizë në skakierën botërore bëhet me qëllimi final të presidentit Obama për rivendosjen e lidershipit amerikan në ato vende që i janë larguar sferës së rrezatimit të saj. I angazhuari i parë në këtë betejë është delfini i ri i Pentagonit, David Petraeus, komandanti amerikan për Lindjen e Mesme dhe Azinë, i cili është i gatshëm të dërgojë batalionet që ndodhen në Irak, por për këtë gjë po u kërkon europianëve ta ndjekin: nuk do të jetë e lehtë për ata që mendojnë të thonë jo, duke parë sesi ai u prit në kryeqytetet e Europës. Me Iranin, Obama dëshiron të luajë kartën e butësisë përpara dajakut të valëvitur izraelit, nëse nuk ndryshojnë programin e pasurimit të uraniumit. Presioni i shumëfishtë gjeostrategjik amerikan mbi Iranin është një lojë së cilës vetëm pranvera do t’i japë zgjidhje. ...