Politika e kuadrit sipas porosive të shokut Rama
Kreu i PS, Edi Rama u prek tejmase në sedër kur lexoi faqet e para të gazetave të një ditë më parë, më të zakonshmet ishin “rikthehet Nano, centralizohet Balla, largohet Brace, internohet Blushi dhe Majko”. Edhe gazetat pranë furrikut socialist kishin lexuar nëntekstin e supozimit të një rikthimi në Nanos. Dhe kjo i ka djegur kësulën Edi Ramës, prandaj shkroi me një frymë një komunikatë përgënjeshtruese sipas formulës: “shumë zhurmë për asgjë”, ku mohoi jo vetëm rikthimin e Nano, por mohoi dhe debat e lindura për ketë korrje të këmbëve të deputetëve me tabanin e tyre popullor.
Mirëpo reagimi publik ka ardhur si shqetësim e dhënies së një mesazhi të gabuar. E gjitha kjo ka ardhur pasi është një njeri sipërfaqësor që kujton se veç leximin e titujve kupton dhe përmbajtjen e lajmeve dhe analizave të asaj cka u konsumua gjatë Asamblesë Socialiste. Ai kërkon t’u imponohet gazetarëve në punën e tyre, që të përdorin jo një logjikë gazetarie, por një logjikë politike, sidomos me syzet e Ramës.
Megjithatë është e pamundur të lexohet ndryshe “internimi” i kryqëzuar i disa deputetëve. Fakti është se Ben Blushi lë qarkun e Korçës ku ka qenë i deleguar për shumë vite dhe kalon në Elbasan. Po kështu, Erion Braçe lë bastionin e tij historik Beratin për të shkuar në Korçë. Pandeli Majko nga Korça është dërguar në Dibër, kurse Namik Dokle nga Kuksi në Berat. Arben Malaj nga Vlora në Kukës, kurse Ndre Legisi nga Puka në Tiranë. Gjithashtu leximi dhe interpretim i vendimeve të marra sipas sutakut të Ramës mund të lexohet në shumë mënyra.
Së pari: rokada e deputetëve në qarqe të panjohura është frika e konsolidimeve të klaneve të caktuara në qarqe. Një shembull është klani i Erjon Braces në Berat, i cili ka “luftuar” çdo socialist tjetër (Fidel Ylli, etj) në ketë qytet, bile ai është një prej organizatorëve të humbjes me turp të Erjon Velisë në zgjedhjet parlamentare të 2009, ku mori një grusht votash. Ky i fundit është bërë sot zyrtarisht njeriu më i afërt i Ramës, duke qenë sekretar politik për Rininë dhe diasporën. Kuptohet vetiu nga ka ardhur ndikimi për goditje të Erjon Braçes, i cili është ndër të poshtëruarit e Asalblesë që ka guxuar të thotë se do të japë dorëheqjen nëse ai largohet nga baza (fuqia) e Beratit.
Së dyti: një lexim më i plotë do të ishte shfaktorizimi i një linje drejtuese vendore që kanë përcaktuar daljen në zgjedhje të kryetarëve të Bashkisë, komunave dhe deri deputetë. Prandaj për t’i paraprirë një rreziku të mundshëm të identifikuar tek ata që kanë lidhje mbi 20 vjeçare me territorin dhe bazën, Edi Rama ka gjetur formulën e “internimeve” sa më larg. Sepse Erjon Braçen vështirë se e njeh për burrë të mirë e të ndershëm në Korçë apo/dhe fakti që Pandeli Majko që është kandiduar për në OKB, por që në të vërtetë do të përfundojë të lobojë në pasardhësit e Nexhmijes në Dibër. me një llaf kemi të bëjmë me një shfaktorizim politik të të gjithë drejtuesve të PS-së në rrethe, si dhe të gjitha figurave të rëndësishme që udhëhiqnin prej kohësh fushatat elektorale. Ky vendimin i ka kthyer deputetët në tellallë të njoftimeve të kryetarit.
Së treti: një lexim ideologjik identifikohet në doktrinën e Hoxhës për politikën e kuadrit. Logjika tipike e doktrinës së Hoxhës ishte parandalimi me çdo kusht i faktorizimit krahinor të pushtetit, domethënë ndarja krahinore e posteve partiake në rreth (sot qark) do të forconte shumë pozitat e këtyre sekretarëve të pare (sot deputetë), që kishin lidhje fisnore dhe kurorash dhe kështu kishte krijuar mekanizmin e përzgjedhjes nëpërmjet sugjerimit të Komiteti Qendror të Partisë (sot PS), që më pas miratohej nga komiteti i partisë në rrethe (sot dega e PS në rrethe). për të parandaluar ketë logjikë ndiqej logjika e kundërt e degdisjes së kuadrit (sot burimet njerëzore) që zbatohej si rregull i pashkruar që një sekretar i parë i një rrethi në veri të ishte nga jugu, dhe anasjelltas. Në kohën e diktaturës komuniste jo vetëm sekretari i parë, por dhe mjeku kuksian caktohej me detyrë në Gjirokastër, oficeri shkodran emërohej në Berat dhe mësuesi beratas degdisej në fshatrat e Korçës e kështu me radhë. Për ketë arsye leximi ideologjik i këtyre vendimeve na çon në përfundimin se ketë logjikë ka ndjekur dhe Edi Rama i cili ka vendosur nëpërmjet pilotimit të votës në asamble, që deputetët socialistë të shkojnë të deleguar në qarqe të panjohura, pa shumë lidhje me bazën. Është një mënyrë organizimi në funksion të prerjes së rrënjëve të përzgjedhurve me bazën, duke i hequr kështu mbështetjen popullore. Kjo logjikë rikthen logjikën e vjetër të “internimeve” poshtëruese për njerëzit që kanë kontribute të njohura në një qytet, që përkthehet në prerjen e rrënjëve që ushqejnë pushtetin dhe forcën e secilit deputet me bazën e partisë dhe territorin në të cilën bëjnë politikë.
Sidoqoftë ka dhe diçka tjetër, fakti që Edi Rama përpiqet të shkëpusë lidhjet e deputetëve të caktuar me qarqet e tyre tradicionale, sidomos lidhjet e Ben Blushit. Dhe në qoftë se ky reagon (pas këtij kurthi) do të identifikohej si lider lokalist dhe jo përfaqësues i gjithë socialistëve. Kjo lëvizje e Ramës është shumë e gjetur, megjithatë, vështirë se Blushi do ta hajë ketë karrem.